Mustafa paralajmëron vizita në Shqipëri, Gjermani dhe SHBA

Shqipëria, Gjermania, SHBA-të, janë shtetet që ka përmendur Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i pyetur për vizitat e para që do bëjë, ndërsa ka theksuar disa ftesa.

“Unë i kam disa ftesa, të cilat janë paralajmëruar. Kam një ftesë të hapur për Shqipëri. Është një vizitë të cilën duhet ta bëj në Gjermani dhe presim që të dërgohet ftesa. Jam shumë i interesuar për një vizitë të tillë, sepse e shoh tepër të rëndësishme. Po ashtu jam i interesuar për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të punojmë që të bëhet, sepse fjala është për një aleat tonin dhe për një vend me të cilin ne kemi kultivuar miqësi të përhershme dhe marrëdhënie speciale dhe këto marrëdhënie dëshirojmë që t’i mbajmë”, theksoi Mustafa, gjatë një interviste mbrëmë drejtpërdrejtë në emisionin Debat në RTK. 

Në telegramin e urimit Kryeminsitrit të sapozgjedhur Mustafa, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mes tjerash ka shkruar: “Ju e dini se për autoritetet kosovare dera e Kryeministrit të Shqipërisë mbetet gjithmonë e hapur. Në një kohë sa më të përshtatshme për Ju, vizita e Kryeministrit të Kosovës në Tiranë, do të ishte mëse e mirëpritur”.

Në telegramin e urimit të Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, me rastin e zgjedhjes së Mustafës Kryeministër, me tjerash, theksohet: “Gjermania do të vazhdojë të jetë një partnere e besueshme e Kosovës. Do të gëzohesha t’ju përshëndes së shpejti në Berlin”.

Në Deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, lidhur me formimin e Qeverisë në Kosovë, mes tjerash është theksuar: “Presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me Kosovën lidhur me axhendën e përbashkët që e çon përpara zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës dhe integrimet Euro-Atlantike”.

 

 

SHKARKO APP