Mustafa: President do jetë Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pohon se qeveria vazhdon të punojë për realizimin e programit të saj pavarësisht disave që shqetësohen për zgjedhje të parakohshme apo zgjedhjen e Presidentit, që pa mëdyshje, sipas marreveshjes, do të jetë Hashim Thaci.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet statusit të tij Facebook informon publikun se qeveria vazhdon të punoje sipas programit dhe marreveshjes mes aleancës qeverisëse dhe shprehet se
“Periudhën e pushimeve sivjet po e kalojmë në forma të ndryshme.
Disa po punojmë, disa po argëtohen duke kërkuar zgjedhje, disa po “brengosen” për zgjedhjen e Presidentit në fillim të vitit të ardhshëm, disa po e kërcënojnë shtetin dhe udhëheqësit shtetërore (por edhe familjet e tyre) me shënjimin e kufijve dhe me Asociacionin e Komunave, disa po shprehin shqetësimet për ardhmërinë e Forcave të Armatosura të Kosovës e disa po lahen në det”.
“Unë shoh vetëm një zgjidhje: Qeveria do të vazhdojë të punojë me ngulm për realizimin e programit të saj, që është shumë i mirë. Askush askënd nuk do ta pengoje që të bëjë prova dhe ushtrime për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen në vitin 2018. Z. Thaçi do të bëhet President i Republikës së Kosovës, ashtu siç e kemi përcaktuar me marrëveshje. Askush nuk do ta falë asnjë pëllëmbë toke të Kosovës dhe as nuk do të marrë nga toka e huaj dhe nuk do t’i jepet askujt hapësirë që ta rrezikojë shtetin, institucionet shtetërore dhe pronën private. Ushtrinë e kemi, sido që ia veme emrin, forca është kjo që e kemi si FSK, andaj edhe ata që dëshirojnë ta pengojnë edhe ata që dëshirojë t’ia ndryshojnë emrin ashtu siç e kemi propozuar, duhet ta kenë të qartë se Kosova e ka forcën e vet. Prandaj, të punojmë, të flemë dhe të pushojmë rehat, sepse përgjegjësitë për këtë shtet nuk i kemi marrë për mahi. IM”, përfundon Mustafa.