Mustafa: Qytetarët brenda vitit 2016 do të lëvizin pa viza në Europë
“Qytetarët e Kosovës gjatë vitit 2016 do të lëvizin të lirë pa viza në Evropë”. Ky është premtimi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa i cili gjatë vizitës në Bruksel kërkoi mbështetje për vendin e tij në rrugën drejt liberalizimit të vizave në BE.
Mustafa tha se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon të cilët nuk lëvizin dot të lirë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Europian.
“Kosova i ka përmbushur kriteret e nevojshme dhe qytetarët e Kosovës, tashmë, kanë mbetur të vetmit në rajon që nuk kanë mundësi të lëvizin të lirë në vendet e BE-së. Ne jemi të bindur që qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm, pa viza, në vitin 2016”, theksoi kryeministri Mustafa.
Liveralizimi i vizave dhe proceset integruese evropiane të Kosovës ishin kryefjala e bisedimeve në Bruksel të Isa Mustafës me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker; komisionerin e BE-së për Migrim, Dimitris Avramopoulos dhe eurodeputetin Elmar Brok.