Mustafa: S’ka komunë të re serbe

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa hedh poshtë pretendimet e opozitës se votat e deputetëve serbë për zgjedhjen e Hashim Thaçit president u këmbyen me premtimin për krijimin e një komune të re serbe.

Në një status të postuar këtë të shtunë në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri e quan një sajesë të opozitës krijimin e komunës së Prilluzhës.

“Sot është një ditë e përkujtimit të heroizmit të familjes Jasharaj. Ditë që dëshmon sakrificën e shumë njerëzve dhe gjeneratave për liri. Po e shfrytëzoj edhe këtë ditë të madhe t’u garantoj se ajo çfarë po thuhet dhe po shkruhet për kinse themelimin e Komunës së Prilluzhës, është një sajesë e radhës për të destabilizuar vendin. Askush nuk është duke biseduar dhe në asnjë procedurë nuk është themelimi i Komunës së Prilluzhës, siç po trumbetohet në disa media dhe nga disa individ”, shkruan kryeministri në statusin e tij.

Por Nenad Rashiç, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, ka konfirmuar pak ditë më parë për Radion Europa e Lirë se gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar bisedime lidhur me këtë çështje.

Megjithatë, Rashiç ka mohuar se një gjë e tillë ka qenë kusht nga Lista Serbe për të dhënë mbështetjen e deputetëve të saj për zgjedhjen e Hashim Thaçit President i ri i Kosovës.

Katër fshatrat Prilluzhë, Plemetin, Babin Most dhe Gracë do të mund të formonin komunën e re. Këto fshatra aktualisht i takojnë komunës së Vushtrrisë dhe komunës së Obiliqit.

Në rast se do të krijohej, kjo komunë do të ishte e 11-ta me shumicë serbe në Kosovë.

SHKARKO APP