Mustafa: Trepça nuk mbrohet nga ata që e vandalizojnë Prishtinën
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur sot kabinetin e tij qeveritar pas protestës së djeshme.
Pasi ka shprehur edhe një herë keqardhjen për të lënduarit dhe përkrahjen e tij për policinë për garantimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, shtoi se protesta e djeshme kishte qëllime politike.
“Protesta kishte kryekëput qëllime politike. Policia e Kosovës e ka mbështetjen e plotë qeveritare për të mbrojtur pronën publike nga partitë politike. Shkaktari kryesor i eskalimit të protestës së djeshme ishte ultimatumi i dhënë për heqjen e kordonit policor”, ka thënë Mustafa.
“Qytetarët u thirren për të protestuar për Trepçën dhe shkarkimin e një ministri, i cili kërkoi falje, dhe të cilin nuk e pranuam. Trepça nuk mbrohet me dhunë ndaj policisë, ajo është mbrojtur me ligj që pamundëson privatizimin e saj. Qëllimi i kësaj proteste nuk ka qenë shkarkimi i Jabllanoviçit e as “Trepça”, por ka qenë marrja e pushtetit”, tha Mustafa, duke shtuar se “ministri për Kthim dhe Komunitete ka kërkuar falje, ndonëse ne nuk jemi pajtuar me deklarata e tij”.
Mustafa nuk e ka përmendur nëse do të ketë shkarkim apo jo të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviç.
Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, Mustafa tha se Trepça nuk mbrohet nga ata që e vandalizojnë Prishtinën dhe të cilët kanë marrë votën për ta ndërtuar atë. Ai tha se po keqpërdoren qytetarët nga partitë politike për të ardhur në pushtet me forcë dhe për të shkaktuar trazira në Kosovë./