Mustafa uron Kurtin si kryeministër: Ecëm ngadalë, por ja arritëm
Kreu i Partisë LDK, Isa Mustafa, u është bashkuar urimeve për votimin e Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Isa Mustafa uron ortakun e tij Albin Kurtin për zgjedhjen e tij dhe të kabinetit qeveritar.
Isa Mustafa, i cili pas 4 muajsh mosmarrëveshjesh, debatesh dhe refuzimesh, më në fund arriti marrëveshjen me Albin Kurtin, shkruan se pritjet janë të mëdha ashtu si edhe premtimet, por sipas tij qeveria duhet të lihet të punojnë pasi nuk e ka të lehtë.
“Uroj Kryeministrin Albin Kurti për zgjedhjen e tij dhe të kabinetit qeveritar. Ecëm ngadalë, me vështirësi, por arritëm në cak. Kosova sot kompletoi të gjitha institucionet e saj. Pritjet janë të mëdha, ashtu sikurse edhe premtimet, por Qeverisë duhet dhënë hapësirë të punojë normalisht. Nuk e ka lehtë! IM”,- shkruan Isa Mustafa.