Mustafa vendos: Unë me veturë, ministrat me autobusë në Shqipëri
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, që pritet të zhvillohet të hënën më 23 mars në Tiranë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vendosur që delegacioni qeveritar i Kosovës të shkojë në Shqipëri me autobusë.
Arban Abrashi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se përveç kryeministrit, i cili do të shkojë me makinën e tij zyrtare, pjesa tjetër e delegacionit do të shkojë me autobusë.
Në një prononcim për Koha.net, Abrashi nuk i ka bërë të ditura arsyet e këtij vendimi të kryeministrit, ndonëse ka lënë të kuptohet se arsyeja kryesore është “kursimi i buxhetit të shtetit”.
Në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, pritet nënshkrimi i rreth 10 marrëveshjeve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.