Mustafa vlerëson përkrahjen e Francës për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti të premten në takim një delegacion të Asamblesë Nacionale të Francës, i udhëhequr nga kryesuesja e Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë, Genevieve Gosselin-Fleury.
Sipas KosovaPress, gjatë takimit, kryeministri Mustafa e informoi delegacionin francez me progresin që po arrihet në Kosovë, duke theksuar prioritetet e programit qeverisës, që kanë për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor, axhendën evropiane, reformat thelbësore në arsim dhe shëndetësinë bashkëkohore.
Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që shteti francez në përgjithësi dhe Asambleja Nacionale e Francës, po japin për Kosovën.
Kryesuesja e Grupit të Miqësisë Francë- Kosovë, Genevieve Gosselin-Fleury, vlerësoi arritjet në Kosovë, duke shprehur përkushtimin për avancimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e bashkëpunimit parlamentar.
Genevieve Gosselin-Fleury po ashtu shprehu mbështetje për proceset integruese evropiane të Kosovës si dhe proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.