Ndalohet sërish kryetari i “Vetëvendosje”-s
Policia e Kosovës ka ndaluar sërish kryetarin e “Vetëvendosje”-s, Visar Ymeri për ta dërguar në seancë gjyqësore për rastin e rrahjes së deputetëve të “Vetëvendosje”-s me atë të PDK-së, Bekim Haxhiu më 2012.
Në seancën gjyqësore të mërkurën, kryetari i trupit gjykues ka urdhëruar të dëgjojë sërish dëshmitë e mjekëve ligjorë për të bërë krahasimet me raportet mjekësore të emergjencës pasi në seancën e kaluar janë shfaqur dyshime për mospërputhje të raporteve mjekësore.
Pas kësaj seance dëgjimore, trupi gjykues pritet të shpallë akt-gjykimin, ku prokuroria ka kërkuar dënim të deputetëve të Vetëvendosjes për sulm ndaj deputetit të PDK.
Partia më e madhe opozitare e ka cilësuar këtë gjykim dhe arrestimin e kryetarit Visar Ymeri si veprim politik të urdhëruar nga qeveria.