“Ndikimi rus në Ballkan, më i madh se para 10 vitesh”
“Rusia është kthyer fuqishëm në Evropë dhe Azi. Ndikimi rus në Ballkan është shumë më i madh se sa ka qenë para 10 vitesh apo 20 vitesh”. Kështu ka deklaruar Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Hoxhaj thotë se gjatë kohës sa ka punuar si kryediplomat i Kosovës, ka mësuar se në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë në Moskë, ekziston një departament i veçantë që merret me planifikim gjeopolitik dhe çdo investim që bëhet nga Rusia ekziston një plan tjetër më i thellë përtej interesave politike.
“Në rrafshin konkret, investimet ruse në ekonomi nuk janë investime që kanë vetëm për qëllim ekonomik por edhe ndikimin politik. Nëse ka blerje të minierave nga Rusia në Rumani apo hotelet në Malin e Zi, prapa saj ekziston edhe një axhendë politike”, ka thënë Hoxhaj gjatë një interviste televizive.
Ish-ministri i jashtëm kosovar ka thënë se blerje të tilla rusët kanë bërë edhe në vende evropiane si Sllovakia e Republika Çeke ku janë blerë media të mëdha të këtyre vendeve.
“Isha në Sllovaki për vizitë dhe një gazetë e madhe e këtij vendi kërkoi intervistë. Një ditë para se të realizohej intervista, gazeta e anulon bisedën duke thënë se nuk kanë mundësi ta kryejnë për çështje kohe. Më vonë, nga ambasadorë të vendeve perëndimore marr vesh që ajo gazetë është blerë nga rusët dhe se aty një ministër i jashtëm kosovar e ka të vështirë të gjej hapësirë”, kujton Enver Hoxhaj.
Hoxhaj, që tani është deputet i PDK-së dhe kryetar i komisionit parlamentar për politikë të jashtme ka thënë se edhe në “rrafshin ushtarak Rusia ka ndikim. Në vitin 2011 dhe 2012, rusët kanë ndërtuar në qytetin e Nishit një bazë ushtarake dhe qëllimet e saj mund të jenë shumë të mëdha sepse nga Nishi mund të ushtrohet kontroll në tërë Bullgarinë, Bosnje por dhe në Kosovë”.