Ndrenika me kritika: Sjellje poshtëruese e presidentëve ndaj trajnerëve, nuk duhen shkarkuar për një ndeshje
I ftuar në Ora Sport, gazetari Denion Ndrenika u shpreh me kritika ndaj mënyrës së organizimit dhe drejtimit të klubeve në Shqipëri.
Ai thotë se presidentët nuk duhet që të gjykojnë e më pas të shkarkojnë trajnerët vetëm se humbën një ndeshje. Sipas tij, kjo është një sjellje poshtëruese.
Ndrenika: Është një fatkeqësi që ne kemi një model të tillë të organizimit të shoqërisë jo vetëm të klubeve të futbollit. Është fatkeqësi që dalin presidentët e klubeve dhe flasin kur është trajneri që rri gjithë ditën duke punuar. Kjo është keqardhja ime pasi nuk ka lidhje nëse Partizani e ka marrë seriozisht ndeshjet e fundit. Një klub që nuk i lihet në dorë trajnerit nuk bëhet. Kjo sjellje poshtëruese e presidentëve të klubeve ndaj trajnerëve kur humbin një ndeshje është e papranueshme. Është mungesë respekti ndaj vetes e më pas ndaj tifozëve. Është shoqëri pa taban. Kush janë këta presidentë, shifi tabelat, kush i financon. Ka një kompani dhe duhet të hynë në sport. Duhet të kenë një prejardhje, duhet të dimë se ku i marrin lekët dhe ku i çojnë. Na dalin 10 presidentë dhe 10 drejtorë sporti.
Gjithashtu ai komentoi dhe fitoren e Tiranës ndaj Skënderbeut, ku u shpreh se ishte një rezultat i pritur dhe se askush nuk mund t’i ndalojë drejt titullit kampion.
Ndrenika: Ky ishte një rezultat i pritur në Korçë. Kjo për t’i dhënë Tiranës një trofe me rastin e 100 vjetorit të saj por kjo nuk do të thotë që e shpalli federata kampion. Askush nuk mund t’i qëndronte përballë Tiranës, Skënderbeu u dënua. Ndërkohë Partizani u pa që në verë që ra. Ishte rruga thuajse e hapur që kryeqytetasit të ishin në rrugën drejt titullit kampion.