Ndrenika: Nuk bëhet marrëveshje me serbët, duhet zgjidhje në formë radikale

Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, vizitoi dje Prishtinën, teksa u firmos marrëveshja që nxit investimet amerikane në Kosovë, si vazhdim i asaj të 4 shtatorit.

Por, për gazetarin dhe analistin Denion Ndrenika, nuk mund të ketë marrëveshje me serbët, ndaj duhet të ketë një zgjidhje radikale, ku faktori amerikan apo evropian të dalë garant.

Denion Ndrenika: ”Çfarë del nga kjo marrëveshje? A janë po këto tema që janë trajtuar në Bruksel? Kam qenë i bindur në ato që na ka treguar historia se nuk ka gotë të mbushur plot me serbët. Është e pamundur që të bësh marrëveshje me serbët, përveçse në formë radikale e një vendimi të faktorit amerikan, europian, një garantues i plotë, që Kosova të ndahet një herë e mirë nga Serbia, pse jo të rishikohen kufijtë, ndoshta shkëmbim kufijsh, nuk e di po nuk mund të kesh marrëveshje me Serbinë. Janë etapat e historisë që na e kanë treguar atë.”

I ftuar në ”Ora News”, ai tha marrëveshja e 4 shtatorit midis Kosovës dhe Serbisë, nuk detyron palët që ta zbatojnë.

Sipas tij, e vetmja gjë pozitive është njohja e Kosovës nga Izraeli, por se pikat e tjera të marrëveshjes janë problematike.

Denion Ndrenika”Marrëveshja nuk është se sanksionon diçka me detyrim për palët, për ta zbatuar. Edhe zotim nuk mund ta quaj. Të zotohesh për të përmbushur çfarë në këtë marrëveshje? Ka pasur diskutime të kësaj natyre për hekurudhën, për autostradën që do lidhë Prishtinën me Nishin, për linjën ajrore Prishtinë-Beograd. Çfarë zotimi tjetër kur ka 33 marrëveshje të nënshkruara por të pazbatuara. Edhe për targat e makinave ka mosmarrëveshje. E vetmja pikë e mirë, nëse mund t’i themi gjeopolitike, është njohja nga Izraeli. Ndërsa pikat e tjera janë tejet problematike dhe largohen plotësisht nga synimi bazë për njohjen e ndërsjellë. Më vjen keq që Shqipëria mbetet pas. Vizita e Grenell do ishte e plotë nëse do përfshihej dhe Tirana.

SHKARKO APP