Ndryshime në qeverinë e Kosovës

Sipas raportimeve më të fundit të mediave kosovare, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i ka dërguar Kryeministrit Isa Mustafa një listë me propozimet për ndryshimet në kabinetin qeverisës.

Gjithmonë duke ju referuar buriemve, Veseli ka propozuar Ferat Shalën për pasuar Ferid Aganin në detyrën e Ministrit të Bujqësisë, ndërkohë që deputetja Blerta Deliu është projektuar nga PDK-ja për të marrë drejtimin e Ministrisë së Integrimeve, vend ky i mbetur vakantë pas largimit të ish-ministrit Bekim Çollaku.

Ferat Shala deri më tani e ka ushtruar përkohësisht detyrën e ish-ministrit të Bujqësisë, pasi ndaj Ferid Agani, u hap një çështje për shpërdorim detyre. Nga ana tjetër, Blerta Deliu do të lërë sallën e legjislativit për t’u angazhuar në drejtimin e proceseve integruese të vendit.

Kabineti Mustafa mbajti një mbledhje ditën e hënë e megjithatë nuk pati njoftime zyrtare për ndryshime. Mediat kanë raportuar se Kryeministri i vendit do të diskutojnë me antarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës  përpara se të miratojë ndryshimet e propozuara nga Kryetari i PDK-së Kadri Veseli. Përveç ndryshimeve në rang ministror, në listën e Veselit ka patur propozime edhe për ndryshim të zv. Ministrave.

Duke iu referuar burimeve mediatike, PDK ka propozuar Anila Statovcin që nga pozita e zëvendësministrit të Arsimit të emërohet si zëvendësministre e Integrimeve Ndërkohë, Mevludin Krasniqi nga Ministria e Shëndetësisë do të zërë vendin e Statovcit në Arsim. Gjithashtu, zëvendësministri i Integrimeve Ramadan Ilazi pritet të shkojë si këshilltar i Jashtëm i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

/Ora News/

SHKARKO APP