Ndryshime në qeveri. Hoxhaj, kryediplomat. Kuçi, edhe zv.kryeministër

Qeveria e Kosovës është riformatuar pas largimit të ish-zv.kryeministrit dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, i cili ka marrë tashmë postin e Presidentit të Republikës.

Kryeministri Isa Mustafa ka emëruar zv.kryeministër Hajredin Kuçin, i cili do të mbajë njëkohësisht edhe postin e ministrit të Drejtësisë, ndërsa ministër të Punëve të Jashtme ka rikthyer sërish Enver Hoxhajn.

Emërimet u zyrtarizuar gjatë kësaj të enjteje përmes një konference të jashtëzakonshme për mediet, që u mbajt nga Mustafa dhe kryeparlamentari Veseli, dhe për to sigurisht që ka pasur rakordim të plotë mes partnerëve të koalicionit.

Kryeministri dhe kryeparlamentari janë pyetur nga gazetarët në lidhje me vendimet e përbashkëta për ndërmarrjen e reformave, sikurse edhe për përmirësimin e situatës ekonomike në vend, por edhe për çështjet më të nxehta të kohëve të fundit siç janë demarkacioni me Malin e Zi.

Sipas tyre, Kuvendi dhe qeveria do të veprojnë në bazë të interesave të qytetarëve dhe sovranitetit të vendit, ndaj dhe kanë ftuar opozitën që të marrë përgjegjësinë që i takon në këto vendimmarrje të rëndësishme.

SHKARKO APP