Ndryshon rrjedha e hetimeve për vdekjen e ish-aktivistit të Vetëvendosjes
Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, vendosi që hetimi për vdekjen e Astrit Deharit, ish-aktivist i lëvizjes Vetëvendosja, të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
“Pas analizimit të prononcimeve në media të familjes së të ndjerit, Astrit Dehari, dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, natyrës specifike dhe urgjente të këtij rasti, si dhe në funksion të zhvillimit me efikasitet të procedurës penale dhe evitimit të mëdyshjeve rreth mundësisë së shkeljes së parimit të paanshmërisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës caktohet të bëjë trajtimin e mëtejshëm procedural të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Më 24 tetor, Prokuroria Themelore në Prizren ka publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, i cili ka ndërruar jetë më 5 nëntor 2016, teksa mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.
Bazuar në rezultatet e këtij raporti, Prokuroria e ktheu rastin në hetim, pas përfundimeve të mëparshme se bëhej fjalë për vetëvrasje, fakt ky i mohuar kategorikisht nga familja e tij, avokati dhe lëvizja Vetëvendosje.