Në Kishën më të vjetër në Kosovë nisin ceremonitë për Nënë Terezën
Jo larg komunës së Vitisë, ndodhet fshati Letnicë. Kisha e Zojës Tonë, është njëra prej kishave më të vjetra dhe për çdo vit shndërrohet në destinacionin e shumë pelegrinëve.
Por ky vit është i veçantë edhe për vetë Letnicën për shkak të kanonizimit të Nënë Terezës, ku në moshën 16 vjeçare, e kishte dëgjuar thirrjen e Zotit për ti shërbyer atij dhe më pas gjithë njerëzimit pikërisht duke vizituar Letnicën.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj e ka nisur pjesëmarrjen në kanonizimin e Nënë Terezës në Romë, pikërisht duke vizituar këtë fshat.
I pritur nga Don Marjani dhe murgeshat që shërbejnë në kishën Zoja Jonë, Hoxhaj shpjegoi arsyen dhe simbolikën e vizitës së tij pikërisht në Letnicë, vendi nga ku Nëna Terezë u frymëzua që më vonë ajo ta frymëzoj botën me veprën e saj.
“Kanonizimi i Nënë Terezës është një ngjarje e madhe për kombin tonë. Për Kishën Katolike por edhe për gjithë njerëzimin. Unë vendosa që të vijë dhe të ju vizitoj para se ta marrë rrugën që të jem pjesë e ceremonisë së kanonizimit të Nënë Terezës meqë Letnica ka qenë një vend i frymëzimit të saj përderisa Nëna Terezë sot është një burim frymëzimi për tërë botën” ka thënë Hoxhaj
Nga ana e tij, prifti që shërben në këtë kishë e falendëroi ministrin që ka zgjedhur ta bëj këtë akt pikërisht 24 orë para kanonizimit të Nënë Terezës.
“Kjo tregon vëllazërinë, kjo tregon historinë që e kemi jashtëzakonisht të lashtë aq ma tepër bujarinë tonë shqiptare. Në emër të Ipeshkvit të Kosovës e falendëroj ministrin që ka gjetë kohë me ardhë këtu tek Shenjtorja e Zojës në Letnicë ku Nënë Tereza edhe ka ardhë, e ka dëgjuar zërin e Zotit dhe ka marrë rrugën e Murgeshës” ka thënë Don Marjani.
Kanonizimi i Nënë Terezës do të bëhet në Vatikan më 4 shtator, ndërsa në këtë ceremoni pritet të marrin shumë liderë jo vetëm nga Kosova dhe Shqipëria por edhe bota.