Në Kosovë të “çmendur” pas armëve, 5 mijë persona mbajnë një të tillë

Qytetarët e Kosovës duket se janë të apasionuar pas armëve, pasi vetëm këtë vit janë pajisur me leje rreth 5 mijë persona.

Siç thonë nga Ministria e Brendshme, Prej tyre tre mijë qytetarë morën për herë të parë leje për armë, kurse, dy mijë qytetarëve iu vazhdua leja e mëhershme.

Shefi i divizionit për armë dhe municion, Destan Mustafa, i cili u shpreh se leja për armë merret në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në anën tjetër, ligji për armët e përcakton se një person mund të pajiset me leje për armë nëse është i rrezikuar, si dhe nëse është pjesëtar i sigurimit apo punonjës i personave me rëndësi të veçantë për institucionet shtetërore.

Mustafa tregon edhe kriteret që një person duhet t’i plotësojë për të pasur një armë me leje. Sipas tij, për të marr një leje për armëmbajtje duhet dy deri në tre muaj kohë.

“Fillimisht ai duhet të jetë i aftë për përdorim të sigurt të armëve që bëhet nga kompanitë e licencuara të armëve. Pastaj duhet të marrë një vërtetim nga gjykata dhe një tjetër nga Policia që nuk është i ndjekur penalisht, një certifikatë mjekësore për armë dhe një dokument nga Qendra për Punë Sociale që lëshohet për të drejtën e veprimit ligjor. Hapi i tij është vetëm të aplikoj në stacionin më të afërt në Kosovë, pastaj janë procedurat tona të cilat ne i bëjmë verifikimet më të thella. Që një kohë kemi disa vonesa, shkojnë dy tre muaj sepse kapacitetet i kemi shumë të vogla, kompanitë janë rritur shumë, kërkesat janë rritur shumë, ne kemi mbetur në kapacitet e vitit 2012”, u shpreh ai.

Sidoqoftë, statistikat e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se vetëm në vitin 2018 janë konfiskuar 1.171 armë dhe rreth 13 mijë copë municion. E agjencitë e ndryshme ndërkombëtare në Kosovë kanë raportuar se në duart e qytetarëve të Kosovës janë më shumë se 200 mijë armë ilegale.

SHKARKO APP