Në maj, mbledhja e 2 qeverive Shqipëri-Kosovë
Kryeministri kosovar, Isa Mustafa ka thënë se në takimin e fundit që ka pasur me homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama, kanë përcaktuar që të organizohet takimi i radhës i përbashkët i dy qeverive, ku do të vlerësohen arritjet e deritanishme, si edhe të shihen marrëveshjet që mund të lidhen për të ardhmen.
“Do t’i propozoja qeverisë që t’i caktojmë disa nga anëtarët e saj që për mbledhjen e ardhshme të qeverisë të na ofrojnë një propozim lidhur me kohën e mbajtës së takimit, lidhur me vendin e mbajtjes së takimit dhe po ashtu që ministrat të mendojnë nëpër ministritë përkatëse se cilat marrëveshje tani i kemi gati, në mënyrë që t’i përgatisim për t’i lidhur në takimin e përbashkët që do ta kemi dhe se cilat çështje mendoni se do t’i diskutonim si çështje me prioritet”, ka thënë Mustafa para kabinetit të tij qeveritar.
Ai ka kërkuar më tej edhe angazhim në përgatitjet e këtij takimi, që parashikohet të mbahet në muajin maj.