Negociatat për Detin, Vetëvendosje: Nuk shitet atdheu për të blerë Europën!
Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri shprehet kundër zhvillimeve sa i përket negociatave për detin.
Në një konferencë të posaçme, Elvis Hoxha, shprehet se gjithnjë ka qenë Greqia ajo që ka bërë publike zhvillimet, ndërsa zyrtarët shqiptarë kanë qëndruar në heshtje.
“Na mbetet ne të kuptojmë se deklarimi i mëhershëm i Mitsotakis për të shtyrë kufirin detar deri në 12 milje paska qenë i mbështetur në negociata 6 mujore me palësh shqiptare”.
Madje ai ka theksuar se sa herë ka pasur marrëveshje të fshehta, e humbur ka qenë Shqipëria.
“Deti nuk është çështje as folklorike dhe as mitologjike. Por është ekosistemi i pasurive kombëtare dhe sigurisë kombëtare. Shqiptarët e dinë më mirë se cilido komb në këtë rajon se çfarë hallesh na kanë hapur marrëveshjet e fshehta.”
Nuk munguan as deklaratat se po kërkohet të merret integrimi në këmbim të kufirit detar.
“Gjithë këto lëvizje te qeverisë Rama janë të shtyra nga integrimi në Europë ku do të na ndihmonte në negociata e më tej Greqia. Por nuk shitet atdheu për të blerë Europën”.
Pak ditë më parë kryeministri Rama theksoi se Shqipëria dhe Greqia do ti drejtohen gjykatës ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes.