Nehat Thaçin e presin me përqafime e muzikë
Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi është liruar nga paraburgimi në Serbi ndërsa janë pushuar hetimet nga organet serbe ndaj tij.
Në orët e mbrëmjes së 1 nëntorit, Thaçi ka mbërritur në Kosovë, përmes pikës kalimtare në Merdare ku është pritur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Ndërkohë në shtëpinë e tij në Lipjan, familja Thaçi kishte organizuar një festë për lirimin e zyrtarit të lartë të policisë.
Thaçi u arrestua më 29 shtator në vendkalimin kufitar në Konçul, mbi bazën e një fletëarresti të Gjykatës së Lartë në Nish, nën dyshime për veprën penale “të terrorizmit”. Autoritetet e drejtësisë në Serbi, i caktuan masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Pas arrestimit të Thaçit, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën kërkohej lirimi i menjëhershëm I tij, dhe i kërkohej “Bashkimit Evropian që përmes mekanizmave të tij detyrues të ndërhyjë tek Qeveria e Serbisë për lirimin e zyrtarit të policisë.
/Ora News/