Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës: Po synohet zgjedhja president e Haradinajt përmes pazareve politike

21 vjet pas çlirimit dhe 12 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, një pjesë e mire e krerëve të luftës dhe aktorët kryesorë të politikës post saj janë marrë si të akuzuar për krime lufte dhe jo vetëm nga Gjykata Speciale.

Në një intervistë me Skype për RTV Ora dhe gazetaren Beti Njuma, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe deputetja e Vetëvendosjes Arbërie Nagavci ka komentuar atë çfarë po ndodh.

Fillimisht, Nagavci qartësoi edhe një here qëndrimin e saj dhe të forces politike që përfaqëson se lufta e UÇK-së ka qenë një luftë e drejtë.

Nagavci theksoi se, që në vitin 2015, kur Gjykata Speciale u votua në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosjes argumentoi ose ishte kundër ngritjes së saj.

Arbërie Nagavci: “Nga viti 2015, kur u votua Gjykata Speciale, kemi paraqitur në Kuvendin e Kosovës të gjitha argumentet tona kundër kësaj gjykate. E kemi konsideruar të padrejtë që të kemi një gjykatë një-etnike, një gjykatë që do të gjykonte krimet e pretenduara nga UÇK, të një vlere dhe të një organizate që mund të themi se ishte e gjithë përpjekja e një numri të madh të banorëve për liri e pavarësi më vonë.

Duke filluar që nga mënyra si u ngrit gjykata, nga presioni I madh që u bë deputetëve, rikthimi I saj dhe shkelja e procedurave për votimin e amendamentit kushtetues që mundësonte votimin e këtyre Dhomave të Specializuara, tregon se ka qenë e gabuara mënyra si është vepruar që në atë kohë”.

Kjo situatë është në dëm të shtetit të Kosovës, vijoi më tej zyrtarja e Vetëvendosjes. Ndërsa sqaroi edhe debatin e sotëm nëse i takon kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani marrja e detyrës së presidentes së Kosovës apo jo.

Arbërie Nagovci: Unë besoj se, debate që u hap sot nuk qëndron. Kushtetuta e sqaron se për çfarëdo lloj arsyeje Republika e Kosovës mbetet pa president atëherë këtë detyrë e ushtron kryetarja apo kryetari I Kuvendit të Kosovës deri në gjashtë muaj. Ne presim që ajo do të kryejë detyrat e saj sipas rolit dhe kompetencave që I jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në të njëjtën kohë, ajo që është e rëndësishme, vendi duhet të përgatitet për zgjedhje të reja por edhe për presidentin pasi në pranverë atij i mbaronte mandati.

Nënkryetarja e Kuvendit konfirmoi edhe vetëshpalljen e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj për postin e presidentit të Republikës, ndërsa akuzoi se po synohet zgjedhja e kreut të ri të shtetit përmes pazareve politike.

“Zoti Haradinaj është vetëshpallur si një prej kandidatëve. Me 30 nënshkrime ata (grupi i AAK) mund të propozojnë zotin Haradinaj si presidenti. Por çështja është se, ata pretendojnë ta arrijnë këtë përmes pazarit politik që është një gjë krejtësisht e gabuar”, u shpreh ajo.

Sipas Nagovcit, Thaçi duhe të kishte një rol unifikues por për fat të keq nuk e bëri një gjë të tillë.

SHKARKO APP