Nesër raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një takim të ri të enjten më 8 nëntor.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini, thuhet se “në takim pritet që të dy presidentët të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për intensifikimin e punës për të arritur një marrëveshje të detyrueshme ligjore për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, që është thelbësore për rrugën e tyre evropiane”.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve. Por, ndonëse ishte thënë se vjeshta mund të shënojë një periudhë takimesh të ngjeshura ndërmjet të dyja palëve, takimi i fillimit të shtatorit dështoi dhe deri tash nuk ka pasur asnjë përpjekje tjetër për takim të ri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së kufijve.

Këto ide nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të rajonit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha javën që lamë pas në Minsk të Bjellorusisë, se janë duke u shqyrtuar të gjitha idetë, por ende nuk ka asnjë marrëveshje. Ai tha se nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë shkëmbim të popullatës në mes të dy vendeve dhe do të ruhet shpirti shumetnik dhe realiteti i Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka përsëritur për muaj të tërë se angazhohet për korrigjim kufiri që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptarë në jug të Serbisë, me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, theksoi javën e kaluar se ideja e tij për vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, nuk është pritur mirë në Serbi dhe se për këtë arsye nuk ka dhënë hollësi rreth kësaj ideje duke e ditur reagimin e opinionit serb. Kufizimi ndërmjet dy popujve nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës, përkatësisht që veriu i saj me shumicë serbe t’i bashkohet Serbisë.

Të dy presidentët do të marrin pjesë në manifestimet me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të dielën në Paris. Presidenti Thaçi e ka hedhur poshtë çdo mundësi që të bisedohet atje, ndërsa presidenti serb, Vuçiç, ka thënë se mund të ketë një takim me praninë e zyrtarëve të lartë perëndimorë, por nuk pritet të ketë asgjë me peshë në Francë.

SHKARKO APP