Nesër vendimi përfundimtar për “Kasapin e Bosnjës”
Një Gjykatë e Kombeve të Bashkuara në Hagë, pritet që më 8 qershor (e martë), të japë vendimin përfundimtar për ish-shefin e ushtrisë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiç, i cili kishte apeluar dënimin për gjenocid.
Në vitin 2017, Mlladiç u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) në kryeqytetin Hagë të Holandës për rolin e tij në mizoritë më të këqija në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Shpallja e vendimit nesër do të ndiqet nga afër nga të afërmit e viktimave që humbën të dashurit e tyre në luftën e Bosnjë-Hercegovinës mes viteve 1992-1995.
Gjykimi i Mlladiç filloi në maj 2012 pasi u arrestua në Serbi më 26 maj 2011, 16 vjet pas shpalljes së urdhrit për arrestimin e tij në 1996.
U vendos që synimi i forcave serbe nën udhëheqjen e Mlladiç, i cili u dënua për atë që ndodhi në Srebrenicë në 1995, ishte një spastrim i Srebrenicës nga myslimanët boshnjakë dhe një plan i përbashkët i komandantëve serbë kriminelë lufte Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç.
Mlladiç, me pseudonimin “Kasapi i Bosnjës”, i cili udhëhoqi serbët në luftën mes viteve 1992-1995 në Bosnjë dhe u fajësua për gjenocidin e Srebrenicës, rrethimin e Sarajevës dhe krime të ndryshme të luftës, pas një gjykimi 6-vjeçar në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi u dënua me burgim të përjetshëm për “gjenocid”, “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje e rregullave të luftës”.
Ai u dënua gjithashtu për sulme ndaj civilëve në Sarajevë, i cili u rrethua nga forcat serbe nga 1992 në 1995 dhe kapjen e vëzhguesve të OKB-së në 1995.
Mlladiç e apeloi vendimin kundër tij në korrik 2017 dhe kërkoi lirim ose rigjykim, duke thënë se atij “nuk iu bë një gjykim i drejtë” dhe se “gjyqtarët bënë një gabim material dhe ligjor në dënimin e tij”.
“Kasapi i Bosnjës”, i cili ende po vuan dënimin në burgun Scheveningen në Hagë, paraqiti një kërkesë në qershor 2018 pranë Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetjeve për Tribunalet Penale, e cila mori përsipër çështjet e Tribunalit, duke kërkuar që gjykatësit në çështjen e apelit të zëvendësonin Theodor Meron, Carmel Agius dhe Liu Daqun më arsyetim se ata ishin të njëanshëm kundër tij.
Seancat e apelit të Mlladiç 78-vjeçar, ku ai bëri personalisht mbrojtjen e tij, u mbajtën në 25 dhe 26 gusht 2020, ndërsa iu refuzua kërkesa për shtyrje për shkak të problemeve shëndetësore.