Newborn, një porosi nga Kosova për botën. Mesazhet e forta nëpër vite
Monumenti i pavarësisë së Kosovës, Newborw që gjendet në Prishtinë, pothuajse çdo vit dërgon një porosi nga Kosova për botën. Ky monument, i cili tashmë është simbol i pavarësisë së Kosovës, këtë vit dërgon mbështetje për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Cilat ishin mesazhet e këtij monumentit ndër vite?
2008: Më i madh se vetë jeta
NEWBORN, i cili simbolizon lindjen e shtetit të Kosovës, u krijuar në një kohë rekorde brenda 11 ditëve nga autori, Fisnik Ismaili. NEWBORN-i u zbulua më 17 shkurt 2008, në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë. Atë ditë, mbi 150 mijë njerëz u nënshkruan në këtë monument. Të parët që nënshkruan ish-presidenti, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi. NEWBORN-i është ndërtuar nga një skelet çeliku dhe është i mbuluar me shtresë metali prej 4mm. Çdo shkronjë ka lartësi prej tri metra, që peshon përafërsisht një ton. Ky është monumenti më i vizituar në Kosovë. Prej 17 shkurtit 2008, shtatë shkronjat e këtij obelisku nuk ndryshuan pamjen deri në përvjetorin e pestë të pavarësisë së Kosovës. Autori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili tha për Radion Evropa e Lirë se qysh në fillim kishin dy ide si do të vazhdohej të jetësohej ky monument. Ideja e parë, sipas Ismailit, ishte që të ruheshin nënshkrimet e 17 shkurtit 2008, duke e konservuar monumentin. Por, pasi që nuk u arrit të konservohet, u mendua që NEWBORN-i të ndryshojë pamje çdo vit. Arsyeja se pse pamja e NEWBORN-it nuk ndryshoi për pesë vjet, siç thotë Ismaili, ishte neglizhenca e autoriteteve për të formuluar një plan të qartë dhe një praktikë për mirëmbajtën e monumentit.
2013: Mirënjohja
Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës vendosi që NEWBORN-in ta ngjyrosë me ngjyrë të verdhë, duke rikthyer pamjen që ky monument e kishte pasur në fillim. Kjo ngjyrë është njëra nga ngjyrat e flamurit të Kosovës. I pakënaqur me këtë, ideatori i NEWBORN-it, Fisnik Ismaili u bëri thirrje qytetarëve të cilët iu bashkuan në numër të madh për të pikturuar të gjithë flamujt e shteteve që deri në atë vit e kishin njohur pavarësinë e Kosovës. Deri në vitin 2013, numri i shteteve që e kishin njohur Republikën e Kosovës ishte 96.
2014: Kujtim për të rënët
Ngjyrat ishin të uniformave të ushtarëve të vendeve që kanë ndihmuar Kosovën për çlirim. Secila shkronjë u ngjyros me lara ushtarake, identifikuese të ushtrive të shteteve të NATO-s. Në këtë formë, Kosova shprehi mirënjohjen për sakrificën e atyre burrave dhe grave të guximshme që ndihmuan çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja e forcave ajrore të NATO-s, kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, e cila filloi 15 vjet më parë, më 24 mars, shënoi fillimin e bombardimeve për 78 ditë mbi këto caqe, si dhe ngjalljen e shpresës për qytetarët e Kosovës se liria ishte afër.
2015: Shprehu lirshëm
Në kujtim të NEWBORN-it të parë, ku njerëzit i shprehën ndjenjat e tyre duke shkruar me markera të përhershëm në monument, varianti i vitit 2015 ishte vazhdim i zgjeruar i asaj ideje, thotë Fisnik Ismaili. Me moton “Shprehu shlirë, ndjehu mirë”, qytetarët ishin të lirë të pikturonin çfarëdo që dëshironin, përveç shkronjës “E”, e cila mbeti e zezë dhe e cila simbolizonte emigrimin masiv të qytetarëve në atë vit. Më 2015, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë.
2016: Izolimi
Qielli i kaltër me re e i mbuluar me gjemba në vitin 2016 përçoi mesazhin e izolimit, pamundësinë e Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Evropian si dhe çështjen globale të refugjatëve. Telat me gjemba në monumentin e NEWBORN-it, ishte thirrje për botën për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje. Ndryshe, procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012, por që ende si proces nuk është finalizuar.
2017: T’i rrëzojmë muret
Si reagim ndaj të gjitha mureve të tilla nëpër botë, si dhe murit i cili ndërtohej në Mitrovicën e Veriut, pranë urës së Ibrit, porosia e NEWBORN-it ishte më inovative dhe e drejtpërdrejtë. Derisa një pjesë e madhe e strukturës qëndronte e ngritur, e ngjyrosur si mur, shkronjat N dhe W u shtruan përtokë, duke qëndruar horizontalisht. Muri në Mitrovicë ishte ndërtuar gjatë dhjetorit të vitit 2016 nga autoritetet lokale të Mitrovicës së Veriut. Por, sipas Prishtinës zyrtare, ndërtimi i këtij muri ishte ilegal, e që nënkuptonte ndarjen e Mitrovicës dhe si i tillë kërkohej të rrënohej dhe më pas u rrënua. Muri në Mitrovicë ishte ndërtuar gjatë dhjetorit të vitit 2016 nga autoritetet lokale të Mitrovicës së Veriut. Por, sipas Prishtinës zyrtare, ndërtimi i këtij muri ishte ilegal, e që nënkuptonte ndarjen e Mitrovicës dhe si i tillë kërkohej të rrënohej dhe më pas u rrënua.
2018: Dekada
Në këtë vit, Kosova shënonte 10-vjetorin e pavarësisë. Shkronja B e NEWBORN-it u zëvendësua me numrin 1, duke krijuar numrin 10, pasi u vendos pranë shkronjës O. Pastaj, numri 10 u ngjyros me ngjyrë ari, kurse shkronjat tjera u ngjyrosën me ngjyrë të argjendtë.
2019: Mbrojtja e tokës
NEWBORN-i i vitit 2019 i ishte kushtuar ambientit, pasi që ngrohja globale ishte çështje aktuale në botë. Në këtë vit, cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pati arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara. Sipas të dhënave të atëhershme të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ambasadës amerikane, vlerat e PM 2.5 ishin mbi vlerat e lejuara.
2020: Luftërat e pafundme
NEWBORN-i i vitit 2020 iu dedikua të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë konflikteve anembanë botës. Secila shkronjë përmbante fjali që tregonin përjetimet e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, sipas institucioneve dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie, thuhet të jetë 20 mijë.
2021:Në përkrahje të luftës së UÇK-së
Qytetarët këtë vit kanë ngjyrosur monumentin me pëllëmbën e dorës së tyre, me një prej ngjyrave të ushtrisë, duke e treguar përkrahjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë. Një vit më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të gjithë ata ndodhen në paraburgim në Hagë dhe janë duke u zhvilluar procese gjyqësore ndaj tyre./rel/