Nga Kosova në Kabul

Qe ende ora 4.30 e mëngjesit në një ditë korriku më 2013 në kryeqytetin gjithë pluhur të Afganistanit, Kabul, dhe pothuajse të gjithë ishin ende në gjumë kur një zhurmë i madhe i ngriti të gjithë me vrik nga krevati: një kamion përplot me eksplozivë kishte shpërthyer në portat kryesore të bazës së Orhan Ismailit.

“Për një çast mendova se isha në një ëndërr,” rikujtoi Ismaili. “Kur u zgjova dëgjova britmat, ‘Dilni jashtë, dilni jashtë, na kanë sulmuar, na kanë sulmuar!”

Sulmi përfundoi pasi vrau së paku tetë të huaj dhe dy civilë afganë. Katër sulmuesit e armatosur që hynë në bazë u vranë shpejt nga personeli i sigurisë, shumica e të cilëve qenë të punësuar civilë amerikanë. Ismaili, 28 vjeç, i mbijetoi sulmit të kryengritësve Talebanë mbi bazën e tij, Kampin Pinnacle.

Ai sakaq qe mësuar me sulmet në vende të tjera të Afganistanit, ku bombardimet me mortaja qenë të shpeshta, por sulmi në Kabul qe më i madhi dhe më i frikshmi. “E dija se ky qe Afganistani, një zonë e rrezikshme. Në çdo moment mund të ndodhte ndonjë gjë,” rikujton ai.

Pavarësisht rrezikut të përditshëm që vjen me punën në një mjedis armiqësor si Afganistani, ai qe i vendosur të qëndronte aq gjatë sa të mundej.

Ai nuk është i vetëm. Ismaili është një nga një numër i madh kosovarësh që kanë shkuar në vende të largëta dhe në disa raste të rrezikshme për të punuar për llogari të qeverisë dhe ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, më së shumti në vende pune mbështetëse për Ushtrinë Amerikane. Shumë kanë punuar më herët në kampin Bondstill (Bondsteel), i cili punësonte dikur më shumë se 6 mijë kosovarë në pikun e pranisë së ushtrisë amerikane në Kosovë. I gjendur në periferi të Ferizajt, baza ndihmoi për të mbajtur ekonominë e qytezës.

Shumë kosovarë që punuan në Bondstill nga rajoni i Ferizat shkuan të punojnë për kontraktorë të mëdhenj amerikanë si DynCorp International, KBR, Fluor dhe AECOM në Afganistan dhe Irak. Shumica e punës është nën Programin e Rritjes së Logjistikës Civile për Ushtrinë e SHBA-ve IV, LOGCAP, i cili siguron mbështetje dhe logjistikë për trupat amerikane të vendosura në Afganistan, Irak dhe Kuvajt si dhe së fundmi në disa anë të Afrikës, përfshirë Republikën e Afrikës Qëndrore, Ugandën, Çad dhe Xhibuti, të cilat janë nën Komandën e Afrikës të SHBA-ve.

Shumica e kontraktorëve i kërkojnë punëmarrësve të nënshkruajnë dokumente ku pranojnë rrezikun që lidhet me punën në mjedise armiqësore. Disa kontrata thonë se në rast vdekjeje, nuk ka garanci që trupi i punonjësit do të kthehet në shtëpi. Pavarësisht këtyre rreziqeve, shumë kosovarë janë dëshpërimisht të gatshëm të nënshkruajnë dhe të shkojnë.

Së paku një punonjëse nga Ferizaj u vra në Afganistan në vitin 2011, ndërsa një grua tjetër kosovare u raportua e rrëmbyer disa vite më parë por u lirua më vonë. Një kosovar i cili qe me Ismailin në Kabul u kthye në Kosovë shpejt pas sulmit të talebanëve. Ai mbeti i traumatizuar nga ngjarjet dhe nuk qe në gjendje të vijonte të jetonte në një zonë lufte.

Me rrënjë nga Gjilani, një qytezë në lindje të Kosovës që gjithashtu ka dërguar shumë njerëz në Afganistan gjatë viteve të fundit, Ismaili po fitonte rreth 70 mijë dollarë (60 mijë euro) në vit, një pagë e padëgjuar në Kosovë, ku pagat mesatare janë më pak se 400 euro në muaj. Ai punoi si një mbikëqyrës logjistik për cilësinë në DynCorp e cila ka një kontratë shumë milionë dollarëshe me një program për trajnimin e policisë së Afganistanit. DynCorp mori 69 për qind të fondeve të Departamentit të Shtetit për rindërtimin në Afganistan, në total 2.8 miliardë, duke i bërë përfituesit kryesor të fondeve të rindërtimit.

DynCorp ka zbatuar një program të ngjashëm në Kosovë pas luftës. Ismaili fluturoi me helikopterë nëpër Afganistan për të inspektuar bazat e shumta stërvitore të DynCorp dhe mbikëqyri mbylljet e tyre pasi bazat iu dorëzuan Policisë Kombëtare të Afganistanit.

“Po përgatisja veten [të kthehesha në shtëpi] për shkak se të gjitha kampet po mbylleshin,” thotë Ismaili. Në fund, atij iu dha lajmi që për dy javë të përgatitej dhe u kthye në Gjilan në fund të vitit 2013. Ai tashmë kalon ditët duke kontrolluar faqet e internetit të kompanive të ndryshme në kërkim të ndonjë vendi pune në Afganistan apo gjetkë. “Dua të iki sërish që të fitoj para dhe të mendoj për të ardhmen,” tha ai.

Përveç rreziqeve të përditshme me të cilat ai u përball në Afganistan, rreziqe të mëtejshme ekzistojnë nëpër bazat ushtarake. Fatmir Ferati, 47 vjeç, hidraulik nga Ferizaj, iku nga Kosova në nëntor 2006 për të punuar për KBR dhe më pas për Fluorin në Afganistan. Ai qëndroi për gjashtë vjet deri sa një aksident i ndodhi në bazën ajrore Bagram.

“Po prista para derës në zonën e parkingut dhe ai thjeshtë edhi nga pas. Gati sa nuk më vrau,” tha Ferati duke përshkruar aksidentin që duket se u shkaktua nga një ushtar amerikan 20 vjeçar që qe në drejtimin e një piruni për ngritje peshash. Aksidenti dëmtoi rëndë atë në shpinë. Në fund, ai u detyrua të kthehet në Kosovë për t’u marrë me çështjet ligjore dhe për të filluar një fizioterapi. “Nuk mendoja kurrë se do ta lija Afganistanin,” tha ai.

Të tjerë janë ende duke punuar në Afganistan dhe shpresojnë të qëndrojnë aq gjatë sa të munden. Ylber Sahiti u bë shofer taksie në qytezën e tij Ferizaj shpejt pasi u kthye në Kosovë më 1999 pasi kishte qëndruar si emigrant në Austri. Ai krijoi një bazë të qëndrueshme klientësh por kjo nuk qe e mjaftueshme për të ushqyer familjen. Në verën e vitit 2012, ai e shiti makinën e tij për 800 euro. Ai nuk kishte më nevojë për të për shkak se po përgatitej të nisej për në Afganistan.

Sahiti, 47, është i kufizuar në bazën ajrore Bagram, baza më e madhe amerikane në Afganitan, vendosur përballë maleve të larta Hindu Kush rreth 40 kilometra në veri të kryeqytetit. Sahiti punon shtatë ditë në javë si mekanik në një garazh duke riparuar makinat MAXXPRO, rezistente ndaj minave dhe të mbrojtura nga kursvet të njohura me akronimin (MRAP) si dhe mjete të tjera ushtarake. Ai punon bashkë me dhjetë njerëz të tjerë, gjashtë nga të cilët janë kosovarë, të gjithë nga Ferizaj.

Vlerësohet se kontraktorë të tillë si AECOM dhe Fluor kanë punësuar më shumë se 8 mijë kosovarë që nga fillimi i luftës në Afganistan. Ata sjellin rreth 50-55 milionë euro në vit, sipas një raporti të vitit 2011 të Institutit të Studime të Avancuara GAP të Prishtinës.

Por ndërsa tërheqja e trupave amerikane vijon nga Afganistani, numri i njerëzve që po humbasin vendet e punës po rritet. Sahiti, miqtë amerikanë të së cilit në bazë e thërrasin atë “Ylberi” “Rainboë” – përkthimi në anglisht i emrit të tij shqiptar – është i vetëdijshëm se ktë vit, shumë ushtarë do të shkojnë në shtëpi. “Ata e përfunduan punën e tyre këtu,” tha ai.

Më 28 dhjetor 2014, Presidenti Barack Obama shpalli fundin zyrtar të luftës më të gjatë të Amerikës dhe prezantoi misionin e ri në Afganistan, Mbështetja e Vendosur, një mision i udhëhequr nga NATO që do të përbëhet nga më shumë se 12,500 trupa, synimi kryesor t të cilëve do të jenë të këshillojnë dhe stërvisin forcat e sigurisë së Afganistanit. Shumica e trupave do të kenë bazën në Bagram ndërsa shumica e bazave të tjera i janë dorëzuar forcave të sigurisë së Afganistanit.

Vetëm përgjatë javëve të fundit, Sahiti tha se rreth gjashtë njerëz janë dërguar pas në Kosovë nga Bagrami. Rreth kësaj kohe, 15 njerëz të tjerë janë njoftuar se do të pushohen nga puna pas një muaji, përfshirë dhjetë indianë dhe pesë kosovarë.

Kontraktorët joamerikanë, të njohur gjithashtu si “nënshtetas të vendeve të tjera”, TCN, thotë se ata paguhen shumë më pak se sa nënkontraktorët amerikanë dhe se kushtet e kontratave të tyre të punës mund të dhunohen më lehtë.

“Për tipat si ne nga Kosova apo për indianët, nuk është e rëndësishme nëse nënshkruan një kontratë apo jo,” vërejti Sahiti në një intervistë me Skype nga Bagrami.

Ai është i shqetësuar për sigurinë e vendit të tij të punës dhe shpreson se do të mund të qëndrojë në Afganistan së paku deri në korrik, por asgjë nuk është e siguritë me këto kontrata, tha ai.

Sahiti ka një familje të madhe për të furnizuar, përfshirë gjashtë fëmijë në moshën deri 19 vjeç. Ai tha se në Afganistan mund të fitohet deri dhjetë herë më shumë se sa në shtëpi. Ai është sakaq gati të kthehet në Afganistan e madje është i gatshëm të shkojë edhe në Irak në rast se kontrata e tij përfundon. “Do të shkoj sërish nëse mundem. Një vit apo dy vjet,” tha ai.

Sahiti mund të detyrohet të bashkohet me bashkëkombësit e tij që po kërkojnë mundësi të reja në një territor të ri dhe jofamilar, Afrika, e cila ka një prani në rritje të ushtrisë amerikane.

LOGCAP tashmë ka zgjeruar operacionet atje. Fluor, e njëjta kompani që punoi në Kampin Bondstill, Afganistan e Irak ka shumë projekte nëpër Afrikën Perëndimore, duke mbështetur Komandën e SHBA-ve për Afrikën në misionin “për të mbrojtur interesat amerikane dhe për të fuqizuar kapacitetet mbrojtëse të Afrikës,” sipas një njoftimi për shtyp të Fluor. Detyrat tani përfshijnë punë humanitare për të ndihmuar vendet e prekura nga Ebola.

“Njerëzit që ne rekrutuam atje [në Kosovë] kanë eksperiencë të mirë në disa lloje punësh të kontraktuara që ne bëjmë për Ushtrinë e SHBA-ve,” tha një zëdhënës për kompaninë me bazë në Teksas Fluor, mbi planet për të vijuar punësimin e kosovarëve dhe njerëzve të tjerë nga Ballkani për projektet e reja në Afrikë. “Ne kemi këtë mundësi të re dhe kjo është arsyeja se pse rekrutuam për punë në Afrikën Perëndimore.”

Valmir Gashi, 27 vjeç, ka punuar në baza të ndryshme në Kandahar, në Afganistanin e jugut, që nga viti 2010. Aktualisht i punësuar nga Ecolog si mbikëqyrës magazine në bazën ajrore të Kandaharit, një nga të paktat baza të mbetura të ushtrisë amerikane në këtë vend, ai thotë se po vret mendjen se edhe sa kohë do të jetë në gjendje të qëndrojë. “Projektet po zvogëlohen, njerëzit po lirohen nga kontratat e tyre,” tha ai në një intervistë në Ferizaj gjatë një vizite të kohëve të fundit në shtëpi në dhjetor.

Menaxheri i tij i tha atij se ata do të duhet të fillojnë të demobilizojnë njerëz nga Kandahari dhe se i ka rekomanduar ta dërgojë atë në Republikën e Afrikës Qëndrore, (CAR sipas akronimit në anglisht), për të bërë të njëjtën punë. Gashi është i sigurt se do të shkojë në CAR sapo puna të përfundojë në Afganistan. Ai ka në plan të shkojë drejtpërsëdrejti në CAR nga Afganistani pas pak muajsh, pavarësisht rreziqeve që gjenden në punën në një vend të dobët që ka përjetuar luftë civile përgjatë vitit të fundit. Paga do të jetë më e mirë për të atje, për shkak se do të paguhem në euro, theksoi ai.

Nëse puna ecën mirë për Gashin, ai do t’i bashkohet një numri në rritje kosovarësh që po përpiqen të gjejnë punë në kontinentin afrikan. Njëri prej tyre është Adnan Dermaku. Duke folur nga brenda një tende në Gbediah, një qytezë e largët në Liberi, ai rikujton odisenë e tij 15 vjeçare duke punuar me amerikanët, nga roli i një rojeje sigurie në Kampin Monteith në vitin 1999 te përkthyesi i UNMIK, një kohë e shkurtër në Kampin Bondstill, tri vite udhëtime me Fluor në Afganistan dhe dy detyra të ndryshme në Irak, e dyta vijoi deri në dhjetor 2014.

“Për pesëmbëdhjetë vjet, të gjitha ushqimet për fëmijët dhe të ardhurat tona janë nga Amerika. Në këtë botë, Amerika na mban gjallë,” tha bashkëshortja e tij Lira, duke përshkruar punën e vazhdueshme me kompanitë amerikane të bashkëshortit të tij. Gjithsesi, vijimi i kontratave të Dermakut nuk qe kurrë e garantuar për shkak se SHBA-të filluan të tërhiqen nga Afganistani. “Ne e dimin se një ditë do të duhej të ktheheshim në shtëpi për shkak se numri i trupave po ulej,” tha ai. Kur ai u kthye në Kosovë më 2013, qe i etur të kthehej sërish për shkak të ekonomisë së përkeqësuar në Kosovë. Ai gjeti një punë si kamarier, duke fituar rreth 200 euro në muaj. Por kjo nuk qe e mjaftueshme.

“Nëse jetoj me pesë, gjashtë apo shtatë vetë në familje, nuk është shumë e lehtë me 200, 300 apo 500 euro në muaj, kështu që më duhet të mendoj për misionin e ardhshëm, gjënë e ardhëshme, hapin e ardhshëm për të fituar më shumë dhe më shumë,” tha Dermaku, 41 vjeç.

Pas nëntë muajsh në Gjilan, ai aplikoi për një vend pune me Ecolog në Irak. Kjo qe hera e dytë për të në Irak ku pati punuar në vitet 2006-2008 me kompaninë KBR, i njëjti kontraktor që po vepronte në Kampin Bondstill. Kur shanset për të punuar në Afrikën Perëndimore u krijuan, gjë që e zbuloi gruaja e tij, ai e rrëmbeu shansin.

“Në krahasim me raketat në Irak dhe Afganistan, është më mirë këtu,” tha ai për jetën e re në Liberi, ku punon me projektin e financuar nga USAID për të luftuar Ebolën. “Nuk dua ta vë veten në rrezik,” tha ai, kur u pyet mbi rrezigjet e punës në vend të prekur nga Ebola. Ai thotë se vijon të jetë i sigurtë për shkak se merr masa mbrojtëse çdo ditë, të tilla si mosprekja e duarve të kolegëve si dhe kontrollimi i vazhdueshëm i temperaturës, monitoruar nga stafi ndërkombëtar mjekësor i projektit.

Ndërsa situata ekonomike në Kosovë mbetet shumë e rëndë, shumë të tjerë po shpresojnë të gjejnë punë si Dermaku në Afrikë apo në ndonjë zonë tjetër lufte.

“Kosovarët janë duke parë për mundësi tëngjashme në Lindjen e Mesme, në Siri apo në vende të tjera dhe janë të gatshëm të shkojnë vetëm për të gjetur vend pune,” thotë Agron Demi, drejtor eksekutiv i Institutit GAP në PRishtinë, e njëjta organizatë që kreu raportimin e vitit 2011 mbi remitancat nga Afganistani dhe Irakut.

Ilir Marveci, 34 vjeç, kaloi dy vjet në Bonstill para se të shkonte në Irak për pesë vjet dhe Afganistan për dy vjet. Ai rikujton se si kontraktorë si KBR po rekrutonin kosovarë për të vajtur në Irak në vitin 2005. Marveci qe mes grupit të fundit të stafit ndërkombëtar që qëndroi në Irak deri në fund të misionit në vitin 2011. Ai rikujton se pa mijëra njerëz në pritje të rradhës në aeroport gjatë ditëve të fundit të pranisë së SHBA-ve.

Me kursimet që ai akumuloi jashtë vendit, ai qe në gjendje të blinte një apartament dhe një dyqan në Ferizaj, duke shpenzuar gati 200 mijë dollarë. Ai dhe familja e tij tashmë jetojnë me kursimet dhe me qeranë e dyqait, duke fituar rreth 400 euro në muaj. Por ai ka nevojë për më shumë para.

“Po përpiqem të iki, nëse mund të iki… në ndonjë vend, Afganistan apo Afrikë apo kudoqoftë,” tha ai duke shtuar: “Të gjithë po flasin për të [Afrikën].” Ai ka aplikuar sakaq për disa vende pune në Senegal me Fluor, dhe si shumë të tjerë, po pret për një telefonatë.

Me ekonominë në Kosovë që duket jo shumë premtuese, kosovarët e papunë e kuptojnë se ata do të kenë vështirësi në gjetjen e vendeve të punës në Eurpën Perëndimore, dhe kjo është arsyeja se pse janë të gatshëm të shkojnë në Afrikë apo në Lindje të Mesme nëse kanë mundësi, me ndihmën e Amerikës.

Sipas Demit, shumë kosovarë “thjeshtë po pyesin nëse SHBA-të do të hyjnë në Siri apo në Libi apo në vende të tjera dhe nëse do të ketë vende pune siç pati në Afganistan apo Irak.”

Marrë nga Prishtina Insight

SHKARKO APP