Nga ndalimi i lëvizjes te mbyllja e lokaleve, ja masat kundër COVID-19 që mbeten në fuqi në Kosovë
Komiteti për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë, pas vlerësimit që i është bërë situatës epidemiologjike me COVID-19, ka bërë të ditur se edhe përkundër një rënie të lehtë të numrit të rasteve me koronavirus, masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 do të mbesin në fuqi.
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, në një konferencë për media ka bërë të ditur se ende mbesin sfida serioze sa i përket menaxhimit të pandemisë COVID-19.
“Jemi të vetëdijshëm se presioni për të liruar veprimtari të tjera është në rritje e sipër sidomos nga bizneset, banjat rehabilituese, ndryshime të orareve të qarkullimit, kinematë dhe veprimtari të tjera, por duke qenë që jemi në një fazë delikate në prag të fillimit të vitit shkollor dhe neve na duhet të ulim edhe më tej lakoren e infektimeve dhe rastet e vdekjeve, konsideroj se së paku edhe për disa ditë apo javë, masat e njëjta duhet t’i mbajmë në fuqi”, tha Zemaj.
Në Kosovë është e ndaluar puna e lokaleve të gastronomisë nga ora 22:30 deri në orën 05:00 të mëngjesit. Po ashtu, gjatë kësaj kohe është e ndaluar edhe lëvizja e qytetarëve.
Në Kosovë mbesin të ndaluara të gjitha tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare, private, si dhe grumbullimi i më shumë se pesë personave në sheshe publike, parqe e të tjera, raporton Rel.
Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, të datës 28 korrik, qytetarët obligohen të mbajnë maska, të respektojnë distancën dhe të mbajnë higjienën personale.
Në aspektin e fuqizimit të kapaciteteve, ministri Zemaj tha se Ministria e Shëndetësisë, është duke analizuar edhe skenarët mbi ecurinë e pandemisë nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës për një rritje të mundshme të numrit të personave të infektuar dhe personave të hospitalizuar me COVID-19, gjatë një vale eventuale gjatë muajve në vazhdim.
“Pas konsultimeve edhe me Avokatin e Përgjithshëm Shtetëror për shkak të disa problemeve ligjore, jemi në rrugë të mirë që objektin e tanishëm në ndërtim të Klinikës Emergjente, ta shfrytëzojmë për nevojat e trajtimit të pacientëve të infektuar me COVID-19”, tha Zemaj.
Numri total i të infektuarve në Kosovë është 13,910.
Prej tyre, 551 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa 10,300 janë shëruar. Aktive mbeten edhe 3,059 raste.