Nga ndryshojnë Kosova dhe Shqipëria? Mjafton kaq pak për t’a kuptuar

Një lajm rutinë është ai që tregon diferencën e madhe në raport me përgjegjësinë ndaj qytetarëve dhe detyrës në Kosovë dhe Shqipëri.

Më poshtë po ju paraqesim dy raste, të cilat tregojnë shumë.

Bëhet fjalë për rifutjen në qarkullim të rrugës Kaçanik-Hani i Elezit në zonën e luginën e Kaçanikut në Kosovë.

Më datë 9 maj, fiks 20 ditë më parë, Ministria e Infrastrukturës së Kosovës ndaloi kalimin në këtë rrugë pasi në një pjesë të saj kishte shkarje dheu duke e bërë të rrezikshëm kalimin aty.

Në fakt, sipas standardeve që jemi mësuar të shohim në Shqipëri, në atë rrugë edhe mund të kalohej, por ministria vendosi pezullimin e kalimit deri në rregullimin e saj.

Vlen të theksohet fakti se Kosova është duke bërë një investim gjigant në një tjetër rrugë moderne që lidh Kosovën me Maqedoninë, e cila është vetëm disa metra më poshtë aksit të vjetër ku kishte shkarje dheu.

Por edhe pse në pak muaj ajo autostradë me urat më të larta në rajon do të vihet në përdorim, autoritetet e shtetit të ri të Kosovës vendosën të harxhojnë disa miliona euro për të rregulluar qoftë edhe provizorisht rrugën e vjetër.

Tani, le të vijmë në Shqipëri.

Prej më shumë se një viti e gjysmë, në aksin Elbasan-Tiranë kanë rënë masive shkëmbore dhe ministria e Infrastrukturës nuk e ka vërë fare ujin në zjarr për të ndërhyrë në këtë rrugë duke u mjaftuar vetëm me një devijim disa metra të saj, gjë e cila rrezikon seriozisht jetën e përdoruesve.

Autoriteteve të Kosovës iu deshën vetëm 20 ditë për të kthyer në gjendjen e mëparshme rrugën e rrezikshme, ndërsa ministria e Infrastrukturës së shtetit amë Shqipëri nuk i mjaftojnë as një vit e gjysmë për të hequr disa shëmbinj nga autostrada Tiranë-Elbasan.

Për banorët e Kosovës mund të jetë një lajm rutinë ai i rikthimit në gjendjen e mëparshme të rrugës Kaçanik-Hani i Elezit, por shqiptarëve të Shqipërisë u tregon se sa dramë është ky shtet që 6 vite më parë i festuam 100 Vjetorin.(Albeu.com)

SHKARKO APP