Nga Prizreni, po nisen ndihmat kosovare për zonat e përmbytura në Shqipëri
Në Prizren, para portës kufitare në Vërmicë-Morinë, po grumbullohen mëngjesin e sotëm makina me ndihma të biznesve nga Kosova, që do të nisen drejt zonave të përmbytura në Shqipëri.
Ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, me kërkesë të bizneseve kosovare, zhvilloi dje në mesditë një takim në Prishtinë me dhuruesit e ndihmave për zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shqipëri.
“Falënderoj për këtë solidaritet që buron nga vetë ju, të mbledhur si rezultat i kërkesave tuaja për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat në Shqipëri”, u shpreh ambasadori Minxhozi para dhjetëra drejtuesve të bizneseve të Kosovës.
Kompanitë e para që deklaruan ndihma për zonat e prekura nga përmbytjet në Shqipëri, ishin më shumë se 10: Trokadero, Devolli Corporation, Devolli Group, Pestova, Elkos, Plastika SHPK, Agroprodukt Komerc, Servisshped, Buqaj, Limak, Besimi Komerc. Dhurues të parë janë edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Banka Ekonomike.
Bizneset vazhdojnë të deklarojnë ndihmat e tyre në para dhe mallëra për zonat e përmbytjeve në Shqipëri. Sot dhe ditët e ardhshme, edhe më shumë biznese nga Kosova, por edhe nga Lugina e Preshevës, pritet të jenë pjesë e ndihmave për banorët e zonave të përmbytyra në Shqipëri.