Ngjarje e rëndë/ Burri vret gruan me armë, policia jep detajet e krimit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmë qytetin e Prizrenit. 61-vjecari B.V ka vrarë gruan e tij. E gjithë ngjarja ka ndodhur pas orës 23:00 në rrugën ‘Hysni Morina’, të Prizrenit. Viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes. I dyshuari është arrestuar nga policia e Kosovës dhe gjendet në ndalim prej 48 orëve, raporton Express.

Policia e Kosovës ka dhënë edhe detaje rreth këtij rasti. Sipas policisë, me date 06 gusht 2019 pas orës 23:00 në rrugën ‘Hysni Morina’ në Prizren, fillimisht qendra e thirrjeve në policinë e Kosovës ka pranuar një informacion dhe është raportuar për një plagosje.

“Pas nderhyrjes nga policia dhe emergjenca e Prizrenit të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes është konstatuar për lëndimin e një viktime femër për të cilën mjeku ka konstatuar vdekjen si pasojë e lëndimit nga arma e zjarrit”, kanë deklaruar për Express, zyrtarë nga policia e Kosovës.

Ekipet policore të hetimeve për  krim teknika në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë. Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshimti ka kryer veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’. I dyshimti dhe viktima kanë qenë bashkëshortë.

Në këtë rast është ndaluar në afat prej 48 orë personi i dyshimtë B.V i lindur në vitin 1958.

Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për procedura të mëtejshme hetimore. Me rastin po merren njësitë e hetimeve rajonale në Prizren.

SHKARKO APP