Ngjarjet më të rëndësishme të 2017 në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni
Viti që po mbyllet në vendet e rajonit kaloi pothuajse si ai i mëparshmi, i ndjekur nga krizat politike, mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, protesta të shoqërisë civile, si dhe çështje të tjera gjyqësore
SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA)Çështjet politike dhe protestat anti-qeveritare në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë ishin disa nga çështjet kryesore nga një vit më parë dhe që vazhduan të jenë prezente edhe gjatë vitit 2017. Viti që po mbyllet në vendet e rajonit kaloi pothuajse si ai i mëparshmi, i ndjekur nga krizat politike, mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, protesta të shoqërisë civile, si dhe çështje të tjera gjyqësore. Këto janë vetëm disa zhvillime më të rëndësishme në tre vendet e rajonit, Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, të cilat shënuan vitin 2017 dhe që Anadolu Agency (AA) i sjell në mënyrë kronologjike.
– MAQEDONI –
Në vitin 2017, Maqedonia hyri me një krizë politike, e cila me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 11 dhjetor të vitit 2016 pritej të përfundojë. Pas zgjedhjeve, partitë politike negociuan me qëllim formimin e qeverisë, ndërsa për shkak të kësaj krize që vazhdoi edhe gjatë muajve të parë të këtij viti, institucionet shtetërore nuk ishin plotësisht funksionale, gjë që e vështirësoi më shumë funksionimin normal të qytetarëve të këtij vendi. Fillimi i vitit 2017 poashtu ishte edhe skenë e protestave të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.
– 27 prill – Pas zgjedhjes së Talat Xhaferit kryetar të Kuvendit të Maqedonisë, protestuesit e iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” të cilët u tubuan jashtë shtëpisë ligjvënëse, u futën me forcë brenda institucionit. Si rezultat i protestuesve të dhunshëm që synonin deputetët, u plagosën rreth 100 persona, duke përfshirë deputetë, pjesëtarë të forcave policore dhe përfaqësues të mediave.
– 4 maj – Pas një periudhe disa mujore negociatash, që vijuan pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016, u formua shumicë parlamentare.
– 17 maj – Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i dorëzoi mandatin Zoran Zaevit, liderit të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), për të formuar qeverinë e re në Maqedoni.
– 8 korrik – Stadiumi kombëtar “Filipi i dytë” në Shkup priti finalen e UEFA Superkupës mes skuadrave Real Madrid dhe Manchester United. Në këtë ndeshje morën pjesë mijëra tifozë nga vende të ndryshme evropiane.
– 2 nëntor – Njoftohet dënimi i 37 të akuzuarve nga grupi i armatosur për ngjarjet e 15 majit të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, në të cilin shtatë persona u dënuan me burgim të përjetshëm, katër u liruan dhe të pandehurit e tjerë morën dënim me burg prej 12 deri në 40 vjet.
– 23 nëntor – Qeveritë e Maqedonisë dhe Bullgarisë zhvilluan një seancë të përbashkët mes dy qeverive në Strumicë të Maqedonisë, pas së cilës ministrat e institucioneve të të dy vendeve nënshkruan marrëveshje dhe memorandume në disa fusha me rëndësi të përbashkët, ndër të cilat marrëveshje për intensifikimin e punëve të jashtme, trajnimin e vozitësve në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimin në raste të katastrofave, marrëveshje për heqjen e roaming-ut, si dhe të tjera në fushën e investimeve, energjetikës, mbrojtes dhe turizmit.
– 5 dhjetor – Gjykata Penale shqiptoi paraburgim 30-ditor për deputetët Krsto Mukoski, Ljuben Arnaudov dhe Sasho Vasilevski, ndërsa për deputetët Johan Tarçulovski, Zhaklina Peshevska dhe Ljupço Dimovski shqiptoi arrest shtëpiak. Deputetët akuzohen si pjesëmarrës në ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, ku 36 persona janë në ndjekje penale.
– 10 dhjetor – Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dha dorëheqjen e tij nga udhëheqja e partisë. Në krye të partisë, Gruevski është që nga viti 2003.
– SHQIPËRI –
– 18 shkurt – Opozita në Shqipëri e udhëhequr nga Partia Demokratike e Shqipërisë filloi një protestë në Tiranë, protestë kjo cila vazhdoi për 3 muaj në çadrën e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kryeqytetin e Shqipërisë, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare.
– 28 prill – Ilir Meta, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-kryeministër i vendit, zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë president i vendit, pas disa raundesh votimi të dështuara në seancat parlamentare. Meta i cili zëvendësoi në këtë post ish-presidentin Bujar Nishani, zyrtarisht e mori detyrën për mandatin 5-vjeçar presidencial më 24 korrik.
– 18 maj – Pas negociatave të realizuara mes kryeministrit të Shqipërisë, dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreut të opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u zyrtarizua marrëveshja Rama-Basha, që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare jo në datën e dekretuar fillimisht më 18 qershor, por më 25 qershor.
– 14 qershor – Gianni De Biasi, zyrtarizoi largimin e tij nga drejtimi i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, ndërsa në vend të tij Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) prezantoi në këtë detyrë më 14 korrik Christian Panuccin.
– 25 qershor – Në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, për zgjedhjen e 140 deputetëve për legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë. Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi zgjedhjet duke siguruar 70 deputetë, Partia Demokratike 43 mandate, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 19 mandate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 3 mandate dhe Partia Social Demokrate 1 mandat.
– 26 gusht – Në Durrës u mbajt takimi joformal i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili kishte për qëllim thellimin e integrimit rajonal me theks të veçantë në ekonomi dhe tregti.
– 9 shtator – Gramoz Ruçi, deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë zgjidhet kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
– 13 shtator – Kuvendi i Shqipërisë miratoi programin dhe përbërjen e re të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama merr votëbesimin e deputetëve për mandatin e dytë qeverisës.
– 16 shtator – Në Tiranë u mbajt takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, me pjesëmarrjen e shefave të shtabeve të përgjithshëm të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës, ku i pranishëm është edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.
– 8 tetor – Shtetasi turk Muhammet Yasir Aydoğmuş, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili kërkohet nga autoritetet turke për lidhje me organizatën terroriste FETO, pasi u arrestua nga Policia e Durrësit më 8 tetor (data sipas policisë), kërkoi azil politik në Shqipëri.
– 19 tetor – Prokuroria për Krime të Rënda e Shqipërisë i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa më 25 tetor Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën
– 27 nëntor – Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës kanë mbajtur mbledhjen e katërt të përbashkët në qytetin e Korçës, ndërsa në përfundim të saj u nënshkruan disa marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi.
– 1-2 dhjetor – Shqipëria u përfshi nga moti i keq, me reshje të dendura të shiut në disa qytete të vendit, nduke shkaktuar përmbytje, ku si pasojë u evakuuan qindra persona. Shqipërisë i ofruan ndihmë disa vende nga rajoni, si dhe organizata dhe institucione nga Turqia, për shkak të përmbytje.
5 dhjetor-Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka vizituar Shqipërinë në kuadër të ceremonisë së ndarjes së Çmimeve “Mehmet Akif Ersoy” në Shkencë dhe Art, ku ministri Çavuşoğlu është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga universiteti Mehmet Akif Ersoy, ndërsa në ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
15 dhjetor- Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë kanë mbajtur takimin e parë të përbashkët ndërqeveritar në Pogradec të Shqipërisë.
KOSOVË
4 janar-Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj (kryeministri aktual i Kosovës), i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për zonën e Dukagjinit, ishte ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Kjo shkaktoi reagime dhe protesta të shumta në Kosovë.
– 12 janar – Haradinaj u lirua me kusht nga autoritetet franceze ndërkaq vazhdonte procesi ku shqyrtohej për ekstradim apo jo të tij në Serbi.
– 14 janar – Nga Serbia niset një tren, me qëllim të lançimit të linjës hekurudhore Beograd-Mitrovicë. Ky veprim u vlerësua nga pala kosovare si një provokim i rëndë, ku në trenin kishte shënime se Kosova është Serbia, dhe po ashtu kishte motive dhe afishe nacionaliste serbe.
– 25 janar – Mbahet takimi mes delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili synonte uljen e tensioneve mes dy vendeve pas provokimit të Serbisë me trenin dhe arrestimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Në takimin me shefen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, Kosova u përfaqësua nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, ndërsa Serbia nga ish-presidenti Tomislav Nikoliç dhe presidenti aktual dhe ish- kryeministri Aleksandar Vuçiç.
– 2 shkurt – Në Bruksel me ftesë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u zhvillua takimi i dytë i nivelit të lartë mes delegacionit të Kosovës të përbërë prej presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe të ish-presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç dhe kryeministrit të asaj kohe, presidentit aktual të Serbisë Aleksandar Vuçiç.
– 3 shkurt – Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg vizitoi Kosovën.
– 4 shkurt – Shembet muri ilegal para urës në lumin Ibër, në përputhje me marrëveshjen e arritur mes qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të serbëve.
– 27 shkurt – Bangladeshi njeh pavarësinë e Kosovës, Ky është shteti i 114-të që e njeh pavarësinë e Kosovës.
– 3 mars – Kosova është anëtarësuar në Konventën themelore të Këshillit për Bashkëpunim Doganor dhe Organizatën Botërore të Doganave.
– 7 mars – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi inicioi projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili parasheh ndryshimin e mandatit ekzistues të kësaj force në ushtri të Kosovës. Ai e dorëzoi këtë projektligj te kryetarit i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
– 25 prill – Fondacioni Maarif i Turqisë fillon aktivitetet e tij në Kosovë, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kolegjin International American Academy of Kosovo (IAAK).
– 27 prill – Gjykata e Apelit në qytetin francez Colmar, ka liruar Ramush Haradinajn.
– 10 maj – Me kërkesë të opozitës, Kuvendi i Republikës së Kosovës me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, ku vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Votimi u mbështet edhe nga partneri i koalicionit qeveritar Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas mocionit të mosbesimit të qeverisë vendosi shpërbërjen e Kuvendit dhe deklaroi se më 11 qershor do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
– 11 maj – Ish-presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani viziton Kosovën.
– 11 qershor – Mbahen zgjedhjet e parakohshme të Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku garuan 26 subjekte politike: 19 parti politike, pesë koalicione dhe dy nisma me gjithsej 971 kandidatë.
– 8 korrik – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, sipas së cilës koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA) fitoi 33,74 për qind të votave (39 deputetë), Lëvizja Vetëvendosje 27,49 për qind të votave (32 deputetë), koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25,53 për qind të votave (29 deputetë). Ndërkaq, 20 deputetë janë nga partitë e minoriteteve.
– 7 shtator – Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, me 62 vota pro nga 120 deputetë, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Veseli ishte zgjedhur kryetar pas gjashtë ndërprerjeve të seancave konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Veseli ishte propozuar nga fituesi i zgjedhjeve, koalicioni parazgjedhor PAN, meqë sipas Kushtetutës së Kosovës grupi më i madh parlamentar dhe fitues i zgjedhjeve parlamentare duhet ta propozojë kandidatin e tij për kryetar të Kuvendit.
– 9 shtator – Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër me 61 vota pro dhe qeveria e re e Kosovës u formua nga koalicioni Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), NISMA për Kosovën, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Lista Serbe.
– 22 tetor – Mbahen zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës. Në zgjedhje morën pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte akredituar 33 mijë e 200 vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar për këto zgjedhje. Këto ishin zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë.
– 27 tetor – Shtetasi Turk Ugur Toksoy u arrestua sipas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, FETO/PYD”. Për të ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh.
– 4 nëntor – Toksoy ishte liruar me kaucion prej pesë mijë euro të dorëzuara në gjykatë.
– 19 nëntor – Mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës. 19 komuna shkuan në balotazh për përcaktimin e kryetarit të Komunës.
– 24 nëntor – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin për 5 të akuzuarit për kryerjen e sulmit ndaj Konsullatës së Republikës së Turqisë në Prizren, të cilët janë dënuar me nga një vit burgim secili, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Kurse ata janë liruar nga akuza e rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
– 26 nëntor – Madagaskari njeh pavarësinë e Kosovës. Madagaskari, i cili ndodhet në brigjet jug-lindore të Afrikës, është shteti i 115-të që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
– 15 dhjetor – Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shtetasin turk, Uğur Toksoy, prokurori ka tërhequr kërkesën për ekstradimin e tij në Turqi, me arsyetimin e mungesës së provave relevante.
– 7 mars – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, vizitoi komunën e Preshevës dhe të Bujanocit, për të kremtuar Ditën e Mësuesit, ku dhe zhvilloi takime me drejtuesit e këtyre komunave. Me këtë, Nishani është president i parë i shtetit shqiptar që vizitoi komunën e Preshevës dhe Bujanocit.