Nikoliç i ankohet ambasadorit amerikan: S’duhet ta kishit krijuar si shtet Kosovën

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç ka pritur në një takim ambasadorin amerikan në Beograd , Kyle R. Scott, për të diskutuar për situatën e krijuar pas incidentit me trenin Beograd-Mitrovicë. Ky takim, i cili u përcoll vetëm me njoftime për shtyp, ka kthyer në një polemikë komunikatash ngjarjen.

Njoftimi i parë për shtyp u dha nga Presidenca. Sipas tij, presidenti Nikoliç i ka shprehur indinjatën ambasadorit amerikan për faktin se kjo administratë ka themeluar shtetin e Kosovës, duke thënë se Uashingtoni ka krijuar shumë dëme.

Por Nikoliç, i cili edhe ditë më parë ka akuzuar administratën amerikane në largim, shpreson që Shtetet e Bashkuara të bëjnë më pak gabime me administratën e re. Megjithatë, menjëherë ka pasuar njoftimi i Ambasadës amerikane në Beograd.

Ambasadori Scott, sipas njoftimit amerikan, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kujtoj se 4 miliardë dollarë investime amerikane dhe 16 mijë punëtorë që punojnë për kompanitë amerikane në Serbi janë një tregues i fuqisë dhe jetësisë së marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

Arsyeja e takimit zyrtar është thënë të jetë rikaputilimi i vitit që lamë pas dhe marrëdhëniet në të ardhmen.

SHKARKO APP