Nisi trenin drejt Mitrovicës, Vuçiç shkarkon nga detyra Marko Gjuriç

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka marrë vendim që ta shkarkojë nga pozita kreun e të ashtuquajturës “Zyre për Kosovë e Metohi”, Marko Gjuriçin. Lajmin e ka bërë të ditur për ‘KosovaPress’ një burim brenda subjektit politik “Srpska”.

“Vendimi do të bëhet publik ditëve në vijim, kurse arsyeja pse ka ardh deri tek ky vendim ka të bëjë me rastin e dizajnimit të trenit, që u ndalua të hynte në Republikën e Kosovës”, tha ky burim.

Aleksandar Vuçiç, më 15 janar, një ditë pas skandalit të trenit, përveç vendimit që ka marrë për t’ua ndaluar të tjerëve (Ministrave dhe vetë Gjuriçit) që të flasin për Kosovën dhe rajonin, ka marrë vendimin edhe për shkarkimin e Marko Gjuriçit, nga të gjitha funksionet qeveritare.

Vuçiçi është dëmtuar shumë nga ndalimi i trenit, kurse siç ka thënë edhe ai vet “lidhur me dizajnin e trenit është informuar nga mediat, ditën kur e kanë kuptuar të gjithë”.

Kryeministri serb thuhet të ketë pasur mjaft besim te Gjuriçi, edhe pse kjo nuk ishte hera e parë që “ai u pre në besë nga ai”, thonë burime të KosovëPress-it, përbrenda subjektit “Srpska”.

Gjuriç, me ‘kokën e tij’ ka vendosur që t’u japë përparësi më shumë serbëve të Graçanicës dhe atyre të Shtërpcës, përpara atyre të komunave veriore, gjë që e ka irrituar Vuçiçin. Për këtë ka marrë vërejtje nga shefi i tij dhe kjo ka sjellë deri në përshkallëzimin e marrëdhënieve në mes të vet anëtarëve të subjektit “Srpska”. Kjo parti është e përçarë dhe me një vendim të fundit ata kanë shkarkuar edhe shefin e grupit parlamentar në Kuvendin e Kosovës, Sllavko Simiçin.

SHKARKO APP