Nisin lëvizjet në Kosovë! Ambasadat e huaja: Të konfiskohen pasuritë e paligjshme për zyrtarët shtetërorë

Me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”, sot është shënuar 10 vjetori i Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit. Derisa është kërkuar ndëshkimi i autorëve të krimit,  nga ambasadat e huaja në Kosovë është përmendur edhe konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve, ku sipas tyre duhet t’u kthehet qytetarëve të vendit.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi u zotua se kanë forcuar moralin për respektimin e ligjit. Mos zbulimi dhe mos ndëshkimi i krimeve, tha ai se rrezikon përsëritjen e krimit.

“Është e vështirë të flitet për drejtësi dhe rehabilitimin e viktimave pa ndëshkimin e krimit, prandaj të gjithë ne duhet të angazhohemi më shumë në ndëshkimin e keqbërësve si dhe mbrojtjen e viktimave të krimit. Këto dy anë kanë të njëjtat vlera sepse në një shoqëri demokratike interesat e shtetit dhe të viktimave janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Mos zbulimi dhe mos ndëshkimi i autorëve të krimit sjell pasoja si për shtetin ashtu edhe për viktimat e krimit, dhe mund të ndodhë që krimi i cili nuk ndëshkohet edhe të përsëritet”, tha Lumezi.

Lumezi tha se prokurorët e shtetit duhet t’i sigurojnë qytetarët që ligji është forca që e bën të mundur lirinë. Kryeprokurori i shtetit tha se duhet të punohet në ngritjen e kapaciteteve, në mënyrë që këto viktima të mos pësojnë me fatalitet, ashtu siç ka ndodhur. E kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se Kosova nuk ka mungesë të legjislacionit, por si vend lëngon në zbatimin e saj.

“Sot në shënimin e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, si gjyqtar dhe si prokuror, kemi ligjin para vetës dhe jemi të obliguar që të garantojmë drejtësi për secilin qytetar…Qytetarët tanë presin që sistemi gjyqësor por edhe ai prokurorial të veprojnë me vendosmëri dhe në të njëjtën kohë të zbatojnë ligjin me përpikshmëri duke u kujdesur edhe në respektimin e fakteve dhe të secilave provave të secilit rast. Nuk guxojmë te ndikohemi nga askush. Është e qartë se nuk guxojmë dhe e kemi të pafalshme që të jemi tolerant ndaj dhunuesve të të drejtave të njeriut, nuk guxojmë të falim kryerësit e veprave penale. Por në të njëjtën kohë, nuk lejohet që të dënojmë pa respektuar secilën dispozitë të tij”, tha ai.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Zvicrës. Zëvendësambasadori i SHBA-së, Nicholas Giacobbe, në fjalën e tij ka thënë se shteti amerikan është këtu për ta ndihmuar Kosovën në këtë drejtim.

“Duhet kurajë dhe vendosmëri për të raportuar një krim pas përjetimit traumatik. Procedurat e ndërlikuara gjyqësore mund të jenë barrë për viktimën dhe kjo veç se e shton traumën. Duhet që të kuptojmë se duhet forcë për të raportuar një rast të krimit dhe duhet po ashtu të kuptojmë se kjo nuk mjafton. Sistemi gjyqësor po ashtu duhet të mundësojë që kur viktima raporton një rast ata e marrin edhe mbrojtjen që ju duhet”, tha ai.

Duke përmendur rastin kur në Gjakovë, Pjetër Nrecaj kishte vrarë gruan dhe vajzën e tij, ani pse bashkëshortja kishte raportuar rastin e dhunës disa herë, ai tha se Kosova duhet të zbatojë në mënyrë të vazhdueshme urdhrat për mbrojtje në rastet e dhunës në familje. Ndërsa përfaqësuesja nga ambasada e Zvicrës në Kosovë, Katarina Stoker, ka kërkuar që të luftohet korrupsioni dhe pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme t’u kthehet qytetarëve.

“Korrupsioni nuk është vetëm çështje etike, por prek në mënyrë sistematike në jetën e njerëzve. Kosova deri tash ka pasur sukses të kufizuar në sanksionimin e rasteve të korrupsionit. Pra, e kemi një numër të vogël të konfiskimit të pasurisë, zyrtarët përfitojnë nga pasuria e përfituar nga krimi. Është imperativ që pasuria e vjedhur apo e fituar në mënyrë të paligjshme duhet të konfiskohet, dhe t’iu kthehet qytetarëve të Kosovës”, tha ajo. Basri Kastrati, menaxher i zyrës për mbrojtjen e viktimave, u zotua se angazhimi i organeve të drejtësisë për mbrojtjen e këtyre viktimave do të vazhdoje gjatë 365 ditëve jo vetëm gjatë kësaj jave. KP

SHKARKO APP