Nisin protestat kundër qeverisë në Kosovë

 

“Kundër kapjes së shtetit” është slogani i protestës të nisur sot në mesditë  në Prishtinë,  organizuar nga tre partitë opozitare kosovare. Opozita ka gjithsej 31 deputetë, numër i vogël në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, që është më pak se i cilësdo nga dy partitë e mëdha të koalicionit qeveritar, PDK-së me 35 e LDK-së me 33 deputetë.

Opozitarët, LVV me 16 deputetë, AAK me 9 e Nisma me 6, kanë paralajmëruar “marshim proteste paqësore gjithëpopullore me kërkesa në përputhje me vullnetin dhe interesin e qytetarëve” në sheshet e kryeqytetit të Kosovës gjatë pasdites së sotme.

Ndërsa, pas paralajmërimit të protestës, nga mbledhja e qeverisë kosovare është dhënë mesazhi se, “të gjitha zgjidhjet do bëhen në institucionet e Kosovës dhe nuk ka arsye të kërkohen në rrugë” dhe se “duhet ta kuptuar nga të gjithë se pushteti fitohet me votë legjitime, popullore, dhe jo me metoda të revolucioneve proletare”.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar urdhrin operativ për mbarëvajtjen e protestës së sotme dhe ka ftuar qytetarët “që të shmangen nga çfarëdo forme e dhunës dhe sjelljeve të kundërligjshme”.

Në Prishtinë, këtë vit, në 24 janar Policia kosovare ka ndërhyrë me gaz lotësjellës për të shpërndarë grupet që gjuanin me gurë ndërtesën e qeverisë, pas përfundimit të protestës, ndërsa në 27 janar u zhvillua po ashtu me përplasje mes protestuesve e policisë protesta e dytë e opozitës, e cila pasohet sot me të tretën, e paralajmëruar nga organizatorët “paqësore dhe e dinjitetshme”

SHKARKO APP