Nisma për Kosovën kërkon hetime për Fatmir Limajn

Në Kosovë, Misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit thotë se është duke shqyrtuar pohimet për ndërhyrje në një proces gjyqësor kundër kreut të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Por, zyrtarët e EULEX-it nuk kanë dashur të komentojë tash për tash këto pohime, në të cilat thuhet se Partia Demokratike në bashkëpunim me ish-shefin e këtij misioni, Bernd Borchardt dhe disa zyrtarë të Brukselit, mund të kenë ndërhyrë në Gjykatën e Apelit në shtator të vitit të kaluar që të dënoheshin zoti Limaj dhe nëntë të tjerët të akuzuar për krime lufte të dënoheshin për krime lufte.

Në shkrimet e së përditshmes “Koha Ditore”, citohet një burim i paidentifikuar nga EULEX-i, sipas të cilit dënimin e zotit Limaj e kishte garantuar gjyqtari portugez i EULEX-it, Manuel Soares. Dënimi, shkruan gazeta, ishte parë si mundësi ideale për prishjen e koalicionit të atëhershëm ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Në shtator u hap rigjykimi ndaj zotit Limaj dhe nëntë të akuzuarve të tjerë për torturimin dhe keqtrajtimin e civilëve shqiptarë në një burg në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore në vitin 1999. Ata ishin liruar si të pafajshëm në shtator të vitit 2013.

Partia Demokratike nuk i komentoi shkrimet, ndërsa partia e zotit Limaj bëri thirrje që sa më shpejt të nis një hetim i plotë dhe i gjithanshëm ndaj të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë rast brenda dhe jashtë  EULEX-it.

Këshilli Kombëtar i “Nismës për Kosovën” i bëri thirrje Bashkimit Europian që të formojë një Komision Hetimor, i cili do të ndriçonte, siç thuhet, komplotin kundër zotit Limaj.

Kjo parti thekson se “tashmë jo vetëm për Nismën por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës përfundimisht është e qartë se kryetari Limaj që një kohë të gjatë ka qenë pre e një përndjekje të paskrupullt politike, që për qëllim të vetëm ka pasur eliminimin politik të tij”.

Hetime ka kërkuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe lirive të njeriut. Këshilli, siç thuhet në një komunikatë, “dyshon dhe është i shqetësuar pse këto informata po rrjedhin pas përfundimit të misionit të një pjese të personelit ndërkombëtar të EULEX-it, edhe pse ata nuk po flasin gjatë mandatit të tyre?!”

Nuk është hera e parë që shfaqen pohime për parregullsi në radhët e EULEX-it. Në nëntor të vitit të kaluar, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini emëroi francezin Jean Paul Jacqué, si ekspert të pavarur për të shqyrtuar zbatimin e mandatit të EULEX-it me përqendrim në dyshimet e hedhura për korrupsion në radhët e këtij misioni.

Vendimi i zonjës Mogherini pasoi dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes “Koha Ditore”, se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni, Maria Bamieh.

Hedhja e dyshimeve të tilla nxiti shume reagime dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se ishin shqetësuar me mundësinë që ato të dëmtojnë imazhin dhe besimin e EULEX-it, i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas./Zeri i Amerikes

SHKARKO APP