Një muaj paraburgim serbit që u kap me ekploziv në Prishtinë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që shtetasi serb, Sllobodan Gavriç, pas arrestimit,  i dyshuar për kryerjen e akteve terroriste, do të qëndrojë për 30 ditë në paraburgim. 46-vjeçar u arrestua nga policia kosovare të enjten në lagjen “Arbëria”, në afërsi të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, pasi në automjetin e tij Reno Klio me targa të Beogradit iu gjetën 13 kilogramë eksploziv. Sipas kreut të Gjykatës në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, Gavriç nuk e ka pranuar akuzën për akte terroriste, duke pretenduar se  eksplozivin do ta shiste në Kosovë. Autoritetet thanë se 46-vjeçari ka bashkëpunuar gjatë hetimeve, të cilat vijojnë për zbardhjen e së vërtetës.  Mediat në Kosovë kanë spekuluar fillimsht se objektiv i sulmit të shtetasit serb ishte Katedralja Katolike e Prishtinës dhe më pas, u hodhën dyshime se ky person kishte planifikuar një atentat terrorist në hotelin ku do të qëndronte mbrëmjen e të enjtes Kryeministri shqiptar Edi Rama. Nuk dihet nëse kjo është arsyeja që Rama nuk vajti në Prishtinë të enjten dhe udhëtoi për në kryeqytetin kosovar mëngjesine së premtes. Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, deklaroi zyrtarisht se 46-vjeçari kishte qëllime të qarta terroriste, por pa specifikuar objektin e sulmit. Homologu i tij serb, Nebojsha Stefanoviç tha se autoritetet e vendit të tij po bashkëpunojnë me EULEX-in për zbardhjen e ngjarjes.

SHKARKO APP