Një muaj pas emërimit të Palmer, Trump cakton një tjetër diplomat për Kosovën dhe Serbinë

Presidenti Trump njoftoi të enjten se do të emërojë ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

“Richard A. Grenell është ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga muaji maj i vitit të kaluar. Zoti Grenell, ekspert i politikës së jashtme, është themelues i firmës “Capitol Media Partners” në vitin 2010, që ofron konsulencë për çështje të jashtme”,- njofton “Zëri i Amerikës”.

Ambasadori Grenell, ka qënë zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdo ambasador tjetër, duke shërbyer për katër ambasadorë të ndryshëm. Ai mban gradën Master për Administratën Publike nga universiteti i Harvardit.

Lëvizja e Presidentit Donald Trump ka shkaktuar jo pak habi në Beograd dhe në Prishtinë. Më 30 gusht, Departamenti Amerikan i Shtetit emëroi Matthew Palmer si përfaqësuesin e tij të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Palmer që mban edhe postin e Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Çështjet Evropiane, ka qenë i përfshirë në përpjekjet për të nxitur ripërtëritjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Emërimi i tij si i dërguar special lidhej konkretisht me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, të njëjtin funksion do të mbajë dhe Ambasadori i SHBA në Gjermani.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, në një mesazh në rrjetet sociale ka përshëndetur vendimin e Presidentit të SHBA. “Mirëpres emërimin nga Presidenti Trump të Ambasadorit aktual të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani z.Richard Grenell, si i Dërguar i Posaçëm për Dialogun Kosovë – Serbi. Do të punojmë dhe angazhohemi bashkarisht rreth dialogut pa kushte, për arritjen e njohjes reciproke në kufijtë ekzistues”,- shkruan Haradinaj.

Ndërkohë analisti për Ballkanin Tim Judah e cilëson këtë lëvizje si të çuditshme. Në një postim në twitter ai shkruan: “Kjo është e çuditshme. Së pari, SHBA emëron Matt Palmerin, që e njeh rajonin dhe udhëheqësit e tij, si të dërguarin për Ballkanin dhe tani dikë tjetër pa asnjë rekord apo njohuri në Ballkan, me aq sa dimë në bisedimet Serbi-Kosovë”.

SHKARKO APP