Një person humb jetën nga gripi, mijëra të tjerë të prekur
Gripi sezonal ka kapluar vendin. Që nga tetori i vitit të kaluar mijëra qytetarë janë prekur me këtë grip, ku një person edhe ka gjetur vdekjen. Vazhdimisht po bëhet apel te qytetarët që t’i marrin masat e nevojshme për t’u mbrojtur nga ky grip.
Një person i prekur me gripin sezonal ka vdekur në Kosovë, derisa më shumë se 12 mijë persona të tjera janë prekur me këtë grip, shkruan sot gazeta Zëri.
Nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është bërë e ditur se një i moshuar i prekur me grip, por që ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore, ka vdekur.
Derisa ende nuk është nxjerrë raporti se sa është numri i të prekurve me këtë grip aktualisht, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend është raportuar se që nga muaji tetor i vitit që lamë pas e deri më 15 dhjetor në këtë institut janë raportuar gjithsej 12 mijë e 331 raste të dyshimta me grip dhe 2 mijë e 40 raste me infeksion respirator akut.