Një serb për President të Kosovës?

E përditshmja serbe Vecernje Novosti ka shkruar një artikull në të cilin ngritë pyetjen se sa do të ishin shanset e një serbi për t’u zgjedhur President i Kosovës.

Madje, Sllavko Shimiq i Listës Serbe, i ka thënë Novostit, se kjo nuk do të ishte një mision i pamundur sepse “Srpska”, ka bashkëpunim të mirë edhe me partitë në pushtet, por edhe me opozitën.

Megjithatë Novosti shkruan se ideja e një kandidati serb për kryetar të Kosovës ende mund të jetë e parakohshme.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë se ai do të donte të ishte një serb në ballë të Kosovës. Dhe se një nga tri institucionet kryesore në Kosovë do të duhej të udhëhiqej nga një serb, apo serbe, shkruan Novosti, përcjellë Klan Kosova.

Gazeta serbe shkruan po ashtu se një nga temat që pala serbe do ta diskutojë në vazhdimin e dialogut me bazë në Bruksel është përfaqësimi i serbëve në institucione te Kosovës, sepse, sipas Qeverisë në Serbi, përfaqësimi i garantuar me Kushtetutë, nuk është zbatuar edhe në praktikë.

Aktualisht, komuniteti serb në institucionet qendrore në Kosovë ka një nënkryetar të Kuvendit, dy ministra dhe një zëvendëskryeministër.

Klan Kosova ka marrë vesh se disa përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Europian e kanë sugjeruar edhe Opozitën kosovare të garojë me një kandidat të saj kur Kuvendi të votojë për Presidentin e ri të Kosovës.

Megjithatë ende nuk dihet nëse është përmendur ndonjë emër i përveçëm për këtë pozitë.

Nga Prishtina nuk ka ndonjë koment për këtë sugjerim.

Ndërsa kandidati i koalicionit qeverisës për president, Hashim Thaçi, disa ditë më parë ishte për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse pas kthimit ka thënë se atje ka marrë përkrahjen e Uashingtonit zyrtar për ta pasuar presidenten aktuale, Atifete Jahjagën.

SHKARKO APP