Një tjetër zyrtar amerikan në Prishtinë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të dërgojnë edhe një diplomat në Prishtinë për të kërkuar kthimin e normalitetit në institucionet e Kosovës dhe për të rikonfirmuar mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për lidershipin e Prishtinës zyrtare.
Top Channel ka mësuar nga burime pranë institucioneve të Kosovës, se më 26 janar Prishtinën do ta vizitojë ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit për çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Hoyt Brian Yee.
Sipas të njëjtave burime, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit deri tani ka konfirmuar takimet me përfaqësuesit e Qeverisë, kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Brian Yee pritet të përsërisë qëndrimet e Sekretarit John Kerry, se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ndihmën për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral me Kosovën.
Ai mësohet se po ashtu do të përsërisë kërkesat e Shtëpisë së Bardhë për uljen e tensioneve politike dhe për kthimin e opozitës në institucione, duke kërkuar që të mos të përsëriten skenat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Të njëjtat burime i kanë thënë Top Channel se diplomati amerikan do të përsërisë kërkesën që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog.
Vizita e diplomatit amerikan në Prishtinë do të ndodhë vetëm një ditë para se ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi të udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.