Njohja e Kosovës, Daçiq: Mali i Zi dhe Maqedonia do kenë pasoja

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, ka folur gjerë e gjatë për raportet e Serbisë me shtetet e rajonit.

Duke folur për Maqedoninë, Daçiq ka thënë se Serbia ka gabuar që e ka njohur atë me emrin e saj kushtetues, pasi që e njëjta e ka njohur Kosovën.

“Serbia ka bërë një gabim shumë të madh për këtë. E tërë Evropa dhe bota përdorë emërtimin Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ndërsa ne vëllezërit tanë grekë i kemi goditur në fytyrë ndërsa tani presim nga Greqia të mos e njohë Kosovën, e ne e kemi njohur Maqedoninë duke lënduar Greqinë kurse ata (maqedonas) gjithmonë votojnë për Kosovën. Më duhet të them se jemi budallenj. Ja, do të përdorë një term jodiplomatik”, ka deklaruar Daçiq, transmeton Koha.net.

Me sa duket, ministrit të Jashtëm serb i ka humbur dashuria ndaj Malit të Zi, e kjo si pasojë e raporteve të këtij të fundit ndaj Kosovës.

Daçiq ka thënë se nuk bëhet fjalë për hakmarrje por për “reciprocitet në politikën e jashtme” dhe se “Mali i Zi po sillet ndaj Serbisë sikurse Papa Guinesë së Re”.

“Çka tash, Mali i Zi votoi për pranimin e Kosovës [në UNESCO] dhe ne të themi thjeshtë, nëse keni votuar, i keni dhënë 1 po. Lirisht vazhdoni ju të votoni kundër nesh, e ne do të vazhdojmë të ju duam. S’mund të them se i dua siç i kam dashur. Nuk mundem, sepse i bie si ta pështyjë veten në fytyrë”, u shpreh shefi i diplomacisë serbe në këtë intervistë, transmeton Koha.net.

Më tutje, duke folur për Kosovën, ai ka thënë se Serbia është e interesuar të gjejë një zgjidhje afatgjate për këtë “problem”.

“Çështja e Kosovës duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, por vetëm me marrëveshje”, deklaroi ai.

Tutje, Daçiq ka folur edhe për atë se si “Serbia i ka dhënë gjithçka Jugosllavisë” ndërsa tha se tani i duhet të dëgjojë “leksione për sjelljet e Serbisë”.

“I kemi dhënë gjithçka Jugosllavisë… që në fund të na duhet të dëgjojmë leksione dhe që dikush të na godas në fytyrë nga anash rreth asaj se si po vepron Serbia. Mezi pres të paraqitet në organizata ndërkombëtare ndonjë qëndrim që është i rëndësishëm për Maqedoninë e Malin e Zi… atëherë do ta shohim se si do të vendos Serbia”, ka deklaruar Daçiq në këtë intervistë.

SHKARKO APP