Njohja e Kosovës dhe ‘tradhtia’ serbe ndaj Greqisë
Vizita e ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias në Prishtinë, aq më tepër deklaratat e lëshuara prej tij atje, ku la të kuptohej se Athina po merr seriozisht në konsideratë njohjen e Kosovës, shkaktuan reagimin e Beogradit.
Kotzias tha se Greqia do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë dhe nuk përjashtoi mundësinë e njohjes së pavarësisë në një kohë të afërt.
Këto deklarata nxitën reagimin e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç. Në një intervistë dhënë për “Blic”, Daçiç tha se “Serbia ndjehej e tradhtuar nga deklaratat e ministrit të Jashtëm grek dhe se për këtë do të kërkonte llogari”.
“Ne i kemi dërguar një kërkesë Ministrisë së Punëve të Jashtme greke për të qartësuar pozicionin e ministrit të tyre. Unë pres që pavarësisht presionit të madh që po vuan Greqia, ajo nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për të mos njohur pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”, tha Daçiç.
“Përplasja” e lehtë mes Greqisë dhe Serbisë, të njohura si dy aleate historike në rajon, është interpretuar nga analisti grek Stavros Tzimas. Në një artikull të publikuar në gazetën “Kathimerini”, Tzimas thotë se Serbia nuk mund t’u drejtohet grekëve me të njëjtin ton si serbëve në Kosovë a Bosnje.
“Udhëheqësit serbë duhet të kuptojnë se nuk mund të drejtojnë gishtin nga grekët me të njëjtin ton si t’u drejtohen bashkëpatriotëve të tyre në Bosnje dhe Kosovë. Koha e politikës së Millosheviçit nuk ka më vend në realitetin e ri të Ballkanit”, shkruan ai.
Më tej, Tzimas kujton një “tradhti” serbe ndaj Greqisë.
“Greqia e ka paguar shtrenjtë qëndrimin e saj filoserb gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në këmbim të kësaj mori si shpërblim njohjen e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues nga ana e Beogradit”, shkruan Tzimas.
Analisti grek shton se me të drejtë Beogradi e argumentonte këtë vendim duke thënë se po vendoste të parat interesat e veta dhe kjo nuk ka asgjë të keq.
“Të njëjtën gjë po bën edhe Greqia, po vendos interesat e veta të parat. Njohja e Kosovës dhe mbështetja e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian janë me rëndësi në marrëdhëniet shqiptaro-greke”, shkruan Tzimas.
Analisti grek shton se vetë Serbia ‘de facto’ e ka njohur shtetin e Kosovës.
“Ligji i diplomacisë na mëson se nuk ka miq, as armiq të përjetshëm; ka interesa të përjetshme”, mbyll shkrimin e tij Tzimas./TCH