Norvegjia, mbështetje Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike

-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide, me të cilën bisedoi  rreth aktualitet politik në Kosovë dhe rajon, thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe të ardhmen e përbashkët euro-atlantike.

Kryeministri e njoftoi ministren norvegjeze për progresin e Kosovës, prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, avancimin në Agjendën e Reformave Europiane dhe në sundimin e rendit.

Haradinaj e falenderoi  Norvegjinë për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës në proceset e shtetndërtimit, duke thënë se Qeveria është e përkushtuar për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ekonomisë, edukimit dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

“Norvegjia ka ndihmuar në avancimin dhe zhvillimin demokratik të shumë proceseve në Kosovë dhe për këtë u jemi mirënjohës”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e mëtejshme të Norvegjisë në procesin e konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të vendit.

Kryeministri po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar për një dialog të kornizuar dhe përmbajtësor me Serbinë që çon në një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe me njohje reciproke mes dyja vendeve.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide, shprehu gatishmërinë e Norvegjisë për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike dhe proceset tjera.

SHKARKO APP