Nuk ka “Çmim Nobel” për “kombin kosovar”!

 

 

Prof.Dr.Mehdi HYSENI

    Nuk  ka  “Çmim Nobel”  për  “kombin kosovar”!

Të mos çuditemi se çfarë s’po ndodh sot, në trend   janë antivlerat erozive, të cilat po i ngulfasin vlerat e mirëfillta universale të njerëzimit. Prandaj, nuk është çudi, që një ditë,  mund të kandidohet për “çmimin nobel”, edhe Nexhmedin Spahiu,  baba i “kombit kosovar” inekzistent, e  jo bardi ynë i krijimtarisë letrare shqiptare,  i merituar dhe i mirënjohur në dimensione  botërore, Ismail Kadare, propozimi i të cilit po pret qe disa vjet në “sporetlin” e zyrës  së Akademisë së Shkencave të Suedisë, që   shkrimtari dhe poeti ynë me famë kombëtare dhe ndërkombëtare, të laurohet me Çmimin Nobel, jo ata që nuk e njohin kombin shqiptar dhe vlerat e tij, sikurse N. Spahiu me “kombin kosovar”.

     

-Mirëpo,  shpresojmë se  një befasi e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse ai që e mohon kombin e vet, nuk e njohin as  kombet e tjera e as kombi i vet.

-Fundja, kush  do ta propozojë   “autorin” e  “kombit kosovar”,  kur këtë projekt fallso  dhe të imagjinuar, pikësëpari nuk e mbështesin akademitë shkencore shqiptare  (Tiranë, Prishtinë, Nju-Jork), as qeveria e Kosovës, as qeveria e Shqipërisë,  as  elita akademike shqiptare, as elita politike shqiptare,  asnjë parti, asnjë lëvizje, si dhe asnjë subjekt politik shqiptar as brenda e as jashtë trojeve të Shqipërisë Etnike. Kjo është dëshmia më e saktë  dhe e parrëzueshme se  “kombin kosovar” nuk e njeh as kombi shqiptar, as shkenca e as dy shtetet ekzistuese shqiptare (Shqipëria dhe Kosova).

Prandaj, shtrohet pyetja, nga nevoja të shkruhen “libra” antikombëtare dhe antishkencore dhe,  kujt  i hyjnë në shërbim ato, kur askush nuk i  lexon, as nuk shpreh kurrfarë interesimi për to mbase nuk kanë kurrfarë vlere të dobishme as  për shkencën, as për kombin shqiptar, as  për  bashkësinë ndërkombëtare të sotme, duke qenë se shqiptarët e Kosovës   kanë kombin vet-kombin shqiptar, nuk kanë nevojë për kurrfarë kombi hibrid  politik-kombin kosovar, të imagjinuar nga    Nexhmedi  Spahiu sipas modelit të  “kombit jugosllav” (1945-1990).                  

Kombi shqiptar, as Plani i Ahtisarit,  nuk  njohin kurrfarë “kombi  kosovar”, as  “protektorë”  e as  “heronj”  të tij

“Kombi kosovar” nuk  ka asnjë të përbashkët me kombin shqiptar, as me  Planin e  Ahtisarit, por është një prototip imitiues politiko-propagandistik i  “kombit jugosllav”, i cili, tanimë,  pas shthurjes së RSFJ-së, është shuar, edhe si doktrinë, edhe si praktikë e “bashkim-vëllazërimit”  titist jugosllav (1945-1990).

-Edhe sipas  Planit të Marti Ahtisarit, në Kosovë ka vetëm një shtet kosovar. Këtë, para së gjithash, e dëshmojnë edhe simbolet shtetërore të Republikës  së pavarur të Kosovës (Flamuri, Stema, Himni). Prandaj, N. Spahiu,  këto simbole shtetërore, në asnjë formë, nuk mund t’i përvetësojë  si “simbole kombëtare” dhe, t’ia atribuojë  “kombit kosovar”, pavarësisht nga “sakrifica” dhe “martirizimi”  i “kryeheroit” dhe i  “heronjve protektorë” të tij, siç  shkruan N. Spahiu në librin e tij “Foshnjëria e kombit kosovar” ( Parathënia, 2014).

Cilët janë “heronjtë” dhe  “martirët” e “kombit kosovar”?

– Këtë  absurdus novus, do të duhej ta dinte vetëm  “kryeheroi” i “kombit kosovar”, Nexhemdin Spahiu,  sepse askush tjetër në Kosovë, as në Shqipëri e as një Ballkan nuk ka njohuri të tilla, edhe pse ai shprehet kështu: “ Si mund të ekzistojë dhe të funksionojë shteti i Kosovës nëse nuk i ka heronjtë e vet, nëse nuk i ka dëshmorët e vet, nëse nuk i ka idealistët e vet të kombit kosovar (f.45)?!

Edhe në këtë pikëvështrim N. Spahiu  qëllimshëm dhe, në mënyrë perfide ngatërron dhe  vë në pikëpyetje heronjtë dhe dëshmorët e njëmendtë kombëtarë shqiptarë të UÇK-së, që në saje të luftës së tyre çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale  u krijua shteti i ri i Kosovës (jo, kurrfarë  “kombi kosovar”),  jo në saje të  “heronjve” të imagjinuar  dhe të “fabrikuar”  në kohë paqeje  nga industria mulate e “kombit kosovar”  e Nexhemedin Spahiut.

Andaj  si “kryeheroi”, ashtu edhe “gardianët mbrojtës” të tij, duhet të dijnë se shteti  i ri i Kosovës ka heronjtë vet edhe të luftës, edhe të paqes, që nga viti 1878, e, edhe sot(2015), të cilët, në asnjë aspekt nuk mund të krahasohen me të vetëquajturit “heronj dhe martirë”  fallso dhe të imagjinuar të “kombit kosovar”, edhe pse librin e tij, N. Spahiu ua ka kushtuar atyre, duke  ua njohur “meritat jetësore, kombëtare e shtetërore” për mbështetjen e “kombit kosovar”: “Kjo është periudha kur  kombi kosovar po dilte  nga inkubatori për të shijuar foshnjërinë e tij. Është periudha kur  protektorët e tij  e kanë ende nën mbikëqyrje, dëgjojnë klithmat e tij të para  dhe pop resin hapat e tij të parë. Libri iu kushtohet heronjve të kësaj periudhe. “ (N. Spahiu, 2014, Parathënia, pasusi 2 dhe 3).

Me gjithë   këto “ëndërra të bukura” vajtuese të fantazisë së shfrenuar të N.Spahiut, i ashtuqujaturi “kombi kosovar” as gjatë luftës, as me të mbaruar lufta në kohë paqeje, nuk ka pasur as ideologë, as arkitektë, as  kurrfarë luftëtarësh, as  ushtarësh, as heronjsh e as martirësh të UÇK-së, as politikanësh, as akademikësh, që kanë përqafuar ose mbështetur “kombin kosovar”  qoftë si ide, platform a doktrinë të filozofisë politike dhe ushtarake të tyre (as me mendje, as penë, as me pushkë, as me kurrfarë veprimi), por vetëm kombin shqiptar dhe Kosovën shqiptare të Shqipërisë Etnike. Ky ishte motivi  dhe kauza  e shenjtë  gjithëkombëtare  e heronjve, e dëshmorëve dhe e martirëve të Kosovës së djeshme dhe të sotme shqiptare (1878-2015).

Pra, me një fjalë, thjesht, “kombi kosovar” nuk ka kurrfarë “kryeheroi”, as heronj të tjerë të asnjë periudhe historike (të djeshme a të sotme), por  është vetëm një  shpifje, një intrigë, një kompremetim, një falsifikim dhe një armë  e rrezikshme me primesa të “kombit jugosllav”, që ka për qëllim shpërfytyrimin e historisë së kombit shqiptar.. -“Heronjtë” e “kombit kosovar”, janë  vetëm  argatë të huaj për të  minuar dhe mohuar  historinë,  kulturën, vlerat dhe meritat shekullore të  kombit shqiptar në Ballkan. Kjo është detyra e tyre parësore. Prandaj, këta nuk mund të quhen heronj, as dëshmorë, as patriotë, as demokratë e as atdhetarë, por vetëm  rrënimtarë dhe piromanë të kombit shqiptar dhe të shtetit të ri të pavarur të Kosovës.

-JO,  “kombi kosovar”, por SHTETI i RI I PAVARUR I KOSOVËS ka kryeheroin e vet gjithëkombëtar shqiptar, Adem Jashari,  i cili së bashku  me shumicën dërrmuese të familjes Jashari dhe me dëshmorët, me heronjtë dhe me  martirët e tjerë të UÇK-së nën Flamurin  Kombëtar Shqiptar luftuan për çlirimin, pavarësimin dhe ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë etnike, jo,  për kurrfarë “kombi kosovar” të imagjinuar dhe  të  “vizatuar” sipas  modelit  jugosllav të “kombit kosovar”.

SHKARKO APP