Nuk respektoi masat anti-covid, LDK-ja gjobitet me 2 mijë euro
Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 2 mijë euro nga Komuna e Prishtinës, për shkelje të rregullave kundër pandemisë COVID-19. Kështu ka bërë të ditur drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, i cili ka thënë se shkelja ka të bëjë me tubimet elektorale, të organizuara në Prishtinë.
“Iu bëjmë thirrje subjekteve politike që t’i respektojnë ligjet dhe vendimet që vetë i kanë votuar. Në të kundërtën, gjobat iu shkojnë në zyrat qendrore të partive për secilin tubim në Prishtinë”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.
Me masat e fundit të miratuara nga Qeveria në detyrë e Kosovës, që udhëhiqet nga Avdullah Hoti i LDK-së, ndalohen grumbullimet e më shumë se katër qytetarëve në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme.
Radio Evropa e Lirë më herët ka raportuar se pothuajse të gjitha partitë po mbajnë tubime zgjedhore, ndonëse fushata për zgjedhjet e parakohshme do të nisë zyrtarisht më 3 shkurt.
Nga Policia e Kosovës nuk kanë pranuar të përgjigjen nëse janë duke marrë masa ndaj partive që organizojnë tubime të tilla, që rëndom mbahen në ambiente të mbyllura, ku shpesh nuk ka distancë fizike dhe njerëzit nuk mbajnë maska. Në Kosovë, në bazë të Ligjit për parandalimin e pandemisë COVID-19, dënimet për shkeljen e tij janë nga 35 deri në 2,000 euro.