Nuland në Prishtinë, kërkon angazhim në luftën ndaj korrupsionit
Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për Evropën dhe Azinë, Viktoria Nuland ka nisur axhendën e takimeve zyrtare në Kosovë, me takimin me Presidentin Hashim Thaçi.
Pas takimit me Kreun e Shtetit, Nuland u takua me kryeparlamentarin Kadri Veseli për të vazhuar me kryeministrin Isa Mustafa. Po ashtu, ajo do të takohet edhe me zëvendës-kryeministrin Branimir Stojanovic.
Në fokus të takimeve në Kosovë pritet të jetë përparimi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për procesin e integrimeve evropiane dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuland gjatë vizitës së sotme në Kosovë, nuk ka paralajmëruar takim me asnjë nga liderët e opozitës.
Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland viziton sot Kosovën dhe Shqipërinë në kuadër të një turi europian që ka nisur në Gjeorgji, Ukrainë dhe Poloni, ku Nuland shoqëronte Sekretarin e Shtetit John Kerry. Po ashtu, ajo pritet të vizitojë në ditët në vijim edhe Maqedoninë, Serbinë dhe Qipron.
Nuland në takim me Veselin: Qeveria amerikane vazhdon të mbështesë fuqishëm Kosovën
Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Viktoria Nuland deklaroi se forcimi i sundimit të ligjit, i sistemit të drejtësisë, dhe luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, janë thelbësore për përparimin e Kosovës.
Nuland i bëri këto komente gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ku u bisedua për proceset aktuale nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.
Nuland theksoi se Qeveria amerikane vazhdon të mbështesë fuqishëm Kosovën në ecjen e saj përpara.
Nga ana e tij, kryetari Veseli theksoi se mbetet i përkushtuar tërësisht në axhendën e forcimit të shtetit ligjor në Kosovë si dhe në reformat e domosdoshme institucionale që kanë të bëjnë me axhendën euro-atlantike të vendit.
Sipas një komunikate për media nga Kuvendi i Kosovës, në takim u bisedua edhe për transformimin e FSK-së, si proces i domosdoshëm në kuadër të forcimit të shtetit të Kosovës.