Nurellari: Rama dhe Kurti për ego kanë krijuar urrejtje
”Open Balkan” dhe ardhja e këngëtarit serb në Korçë, kanë çuar në një debat të madh Shqipërinë dhe Kosovën. Politologu Adri Nurellari, thotë se ka një ego nga dy kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti. Por nga ana tjetër nënvizon se nuk ka prishje të marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, por veç mosmarrëveshje mes tyre. Nurellari nënvizon faktin se është një përplasje dhe helmatisje personale, për shkak se Rama dhe Kurti janë duke u treguar të pakujdesshëm duke mbjellë urrejtje.
”Ka një turmë kolektive që mbështesin z. Kurti që nuk pranojnë një mendim ndryshe. Një pjesë e tyre janë të organizuara edhe nga VV-ja për një qëllim të caktuar. Ata duan që të glorifikojnë Kurtin duke goditur ata që janë kundërshtar të tij.
Për këtë koncert shumë njerëz po bëhen të zellshëm dhe janë njerëzit që konsumojnë mallrat serbe. Ai është një këngëtar i ftuar në aktivitet periferik. Nga ana tjetër nuk mendoj se ka prishja të marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, por vetëm mosmarrëveshje mes dy liderave. Kjo është një përplasje dhe helmatisje personale, për shkak të dy liderave që janë duke u treguar të pakujdesshëm duke mbjellë urrejtje.
Rama e ka lëshuar gjuhën e tij kundrejt politikanëve të Kosovës, deri në banalitet e padi, ndërsa Kurti për ego personale dhe inat të Ramës, e bllokoi për 2 muaj kufirin në pandemi. Atë kohë nuk kishte fare bashkëpunim mes dy vendeve tona. Kurti ka ardhur këtu dhe ka bërë fushatë në Shqipëri në zgjedhje, duke harxhuar kohë në pandemi”, tha në ”Ora News”.