Nxënësja nga Kosova e treta në botë në olimpiadën e matematikës

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, priti në një takim pjesëmarrësit në olimpiadën botërore të matematikës të mbajtur në Hon Kong, ku Doruntina Sylejmani morri vendin e tretë, medaljen e bronztë.

Ministri Bajrami tha se “këta nxënës që janë ambasadorë të vërtetë të Republikës së Kosovës sepse e kanë përfaqësuar Kosovën me shumë dinjitet duke treguar se ne kemi një rini inteligjente, kemi nxënës shumë të mirë dhe jemi shumë të kënaqur dhe krenarë me ta”.

“Kosova ka fituar medaljen e bronztë, medaljen tretë në mesin e 109 shteteve ku morën pjesë më shumë se 600 pjesëmarrës dhe Doruntina është ambasadori më i mirë i Kosovës sepse ka arritur me shumë dinjitet ta përfaqësojë Republikën e Kosovës, sistemin arsimor dhe të tregojë se ne kemi fëmijë me inteligjencë të veçantë. MASHT në vazhdimësi do t’i përkrahë këta nxënës, sidomos nxënësit që kanë inteligjencë në matematikë do t’i stimulojmë, sepse suksesi në fushën e matematikës tregon suksesin e përgjithshëm të sistemit arsimor”, tha Bajrami.

Fituesja e medaljes së bronztë, Doruntina Sylejmani nxënëse e klasës së 12-të, tha se kjo medalje për të është një shtysë që të punoj sa më shumë edhe në të ardhmen në këtë degë.nxenes

“Të fitosh një medalje, medaljen e parë për Republikën e Kosovës në olimpiadën më prestigjioze në botë, patjetër që ka qenë një ndjenjë mjaft e mirë. Kam qenë shumë e inkurajuar dhe kam dëshirë që kjo medalje të jetë një shtysë për garuesit për profesorët dhe institucionet që ta përkrahin sa më shumë matematikën dhe zhvillimin e matematikës”, u shprehur Sylejmani.

Ndërsa profesori Ramadan Limani, i cili njëherësh ka qenë koordinator në garat e mbajtura edhe në Kosovë, tha se suksesi më i madh ndonjëherë është arritur sivjet në këtë garë, që nga viti 2011 kur Kosova ka marrë pjesë.

SHKARKO APP