O’Connell: Mbretëria e Bashkuar njeh kufijtë e Kosovës

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, përmes një shënimi në Facebook, ka thënë se procesi i demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është çështje bilaterale.

“Kosova është shtet sovran; ju vendosni për veten tuaj. Por unë besoj fuqishëm që vendimi juaj duhet të merret në bazë të fakteve. Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar në Planin e Ahtisaarit, bazuar në kufijtë e vjetër të Kosovës. Ajo ka qenë baza për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj, si nga Mbretëria e Bashkuar ashtu dhe nga partnerët më të qëndrueshëm ndërkombëtarë, në ditën e nesërme. Asgjë nuk ka ndryshuar
që nga ajo ditë historike”, ka thënë O’Connell.

Duke përkrahur idenë e diskutimit publik, ambasadori anglez duke e quajtur vetën ‘mik i Kosovës’ ka dhënë disa këshilla. “Si mik i Kosovës unë kam disa këshilla. Ndoshta unë jam idealist, mirëpo unë besoj që vendimet politike duhet të merren në bazë të fakteve, jo në bazë të thashethemeve, propagandës, ose asaj që ju dëshironi të jetë e vërtetë. Nacionalizmi mund të jetë joshës, posaçërisht atëherë kur ndiejmë se kombi po rrezikohet dhe ne duhet ta mbrojmë atë. Problemi është që edhe nëse nuk ka rrezik, nacionalizmi gjithmonë e krijon një, ose armiq nga jashtë ose nga brenda. Ju e dini këtë, ashtu si e di edhe unë; ne të gjithë e kemi parë këtë shumë herë. Por në realitet, Kosova ka shumë miq. Partnerët e Kosovës dëshirojnë ta shohin Kosovën duke arritur sukses si një shtet sovran, me besim në vete dhe në marrëdhëniet me fqinjët dhe partnerët e saj: interesi juaj është interesi ynë. Ne nuk jemi duke ju imponuar juve asgjë dhe padyshim nuk jemi duke kërkuar nga Kosova që të falë territorin e saj”, shprehet ai.

Numri një i Britanisë së Madhe në Kosovë, në fund të shënimit në Facebook ka thënë se vendimi i Kosovës në lidhje me kufirin do të thotë shumë, për besimin e Kosovës në miqtë e saj; për rolin e fakteve në debatin politik dhe në vendimmarrjen e Kosovës; për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjë, të cilët e kanë njohur pavarësinë tuaj atëherë kur ka qenë e vështirë për ta njohur. Ky është një vendim i rëndësishëm. Dhe ju duhet ta merrni këtë vendim vetë”.

SHKARKO APP