Odat ekonomike të Serbisë dhe Kosovës, mbështesin bizneset lokale në Luginë të Preshevës

Janari i vitit 2017, do ta gjejë Bujanocin dhe Preshevën, me zyre të hapura të Odës Ekonomike të Serbisë, me qëllim të krijimit të lehtësirave për zhvillimin e bizneseve lokale.

Nga Sevdail Hyseni

Në Pallatin e Kulturës, në Bujanoc, u zhvillua një takim pune në mes përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Serbisë dhe Kosovës, në të cilën merrnin pjesë krerët e udhëheqësve institucionalë të Luginës së Preshevës dhe udhëheqësit e bizneseve lokale.

Qëllimi i këtij takimi, në nivel të odave ekonomike të dy shteteve, serbo – shqiptare, ishte krijimi i lehtësirave komunikuese në bizneseve të dyja vendeve, për avancimin e bizneseve lokale në Luginë të Preshevës dhe krijimin e tregjeve të reja në fushën e distribuimit të produkteve të tyre.

Njeriu i parë i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, nikoqir i takimeve të odave të përbashkëta Serbi – Kosovë, u shpreh i gatshëm në mbështetjen e iniciativave për zhvillimin e bizneseve në komunën të cilën, ai, e drejton, e cila po përballet me një pazhvillueshmëri ekstreme.

Ngjashëm foli edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili theksoi rolin dhe rëndësinë e avancimit të bizneseve lokale dhe mori si shembull nismën e fundit për hapjen e Fabrikës së Këpucëve “Solid” nga Kosova në Preshevë, në të cilën, që në start, gjetën punë 70 persona.

Në emër të Odës Ekonomike të Serbisë, foli kryetari i saj, Marko Çadezh, i cili tha se, ai, së bashku me kolegun nga Kosova, Safet Gërxhaliu , kryetar i Odës Ekonomike, janë duke punuar në lehtësimin e komunikimit mes bizneseve të të dyja vendeve, për zhvillimin, avancimin dhe promovimin e bizneseve lokale në Luginë të Preshevës.

“Jemi pajtuar se komunikimi mes dyja vendeve të jetë në të mirë të zgjidhjes se problemeve të ekonomisë dhe zhvillimin e partneritetit të përbashkët”, është shprehur  Çadezh në Bujanoc.

Gjatë këtij takimit Marko Çadezh,  nuk la pa thënë se nga muaji janar i vitit 2017, në Bujanoc dhe Preshevë, do të hapet zyrat e Odës Ekonomike të Serbisë, me qëllim të ndihmesës së bizneseve lokale.

Ndërkaq, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, në diskutimin e tij u përqendrua në gjuhën e biznesit, për të mirën e qytetarëve.

“Ne e kemi një problem të përbashkët e ky është papunësia dhe mendojë se është një fillim i mbarë që ky rajon përmes ekonomisë mundë të arrijë perspektivë të zhvillimit të përbashkët”, deklaroi Gërxhaliu.

Vlen të theksohet se takimi i dy Odave Ekonomike Serbi – Kosovë, në Bujanoc, vjen menjëherë pas takimeve të dhomave ekonomike Serbi -Shqipëri, të zhvilluar në fillim të dhjetorit, në Beograd, në të cilën mori pjesë edhe deputeti i vetëm shqiptar i Luginës së Preshevës, Fatmir Hasani, për konkretizimin e bashkëpunimit të bizneseve të këtyre dy shteteve ballkanike.

Gjithashtu, meriton të theksohet, se ky thellim i bashkëpunimit ekonomik, mori rrugë të mbarë nga takimi i Forumit të bizneseve shqiptaro – serbe në Nish, në të cilin morën pjesë dy kryeministrat: Rama – Vuçiq, të cilët u patën zotuar se do bashkëveprojnë mes këtyre dy vendeve, pa harruan edhe ndihmën e ofruar për zhvillimin e  bizneseve lokale në Luginë të Preshevës.

SHKARKO APP